<b></b> Ngadhënjimi që sjell shpresë - Fëmijët ukrainas kthehen në shkollën e fshatit të traumatizuar

Ngadhënjimi që sjell shpresë - Fëmijët ukrainas kthehen në shkollën e fshatit të traumatizuar

21.05.2022 14:04

Nxënësit e shkollës së fshatit Novyi Bykiv po e dëgjonin mësuesin. Zëri i tij po bënte garë me tingullin që e krijonin shiritat e plastikës, që përplaseshin në xhama. Të pyetur nëse janë të lumtur që janë kthyer në shkollë, nxënësit e klasës së pestë, me entuziazëm të çiltër, u përgjigjën njëzëri: “Po”.

Shaun Walker – “The Guardian”

Ata mund të mos kenë dritare, rrymë ose libra akoma, por mësimi në këtë fshat në lindje të Kievit është kthyer qe dy javë, pas një procesi të madh pastrimi, që e pasoi largimin e forcave ruse.

Fshati Novyi Bykiv ishte njëri nga vendbanimet e pushtuara nga rusët për një muaj si pjesë e përpjekjes së dështuar të presidentit rus, Vladimir Putin, për ta marrë nën kontroll kryeqytetin ukrainas nga tri drejtime. Një muaj, banorët jetuan në tmerr. Ekzekutimet grupore dhe plaçkitjet e shumta ishin pjesë e jetës së tyre.

Shkolla ishte baza kryesore ruse në fshat, dhe, kur gazetarët e gazetës “The Guardian” e vizitoi atë, menjëherë pas largimit të forcave ruse, aty kishte rroba, ushqim dhe xhama të thyer në dysheme, mbishkrime në mure e mesazhe të lëna nga rusët në dërrasat e zeza.

Rusët kanë hedhur raketa “BUK” nga zona përreth shkollës, duke e nxitur zjarrin ukrainas të artilerisë, që i ka thyer xhamat e dritareve të shkollës, ka shkatërruar një pjesë të konsiderueshme të pajisjeve të rusëve dhe, përfundimisht, që çoi në tërheqjen e armikut në ditët e fundit të marsit.

“Ishte kohë e papërballueshme. Ecje rrugës dhe shihje njerëz, që i njihje për veshjen e mirë e elegante, të veshur me lecka, me sy të skuqur, të trullosur”, tha drejtoresha e shkollës, Natalia Vovk. “Atëherë, mendova se kaq ishte, se kurrë nuk do të mund të punonim përsëri, se kurrë nuk do të mund ta kthenim jetën në këtë vend”, shtoi ajo.

Edhe për fëmijët, pushtimi ishte kohë traume, kur i shihnin të rriturit të pafuqishëm për t’i mbrojtur më të dashurit dhe shtëpitë nga sulmi i rusëve.

Procesi i pastrimit të shkollës ishte i gjatë, lodhës dhe i pakëndshëm. Njëra nga dhomat ishte përdorur si nevojtore. Dikush gjeti një granatë dore në bodrum.

Në fillim të majit, riparimi ishte i mjaftueshëm për rifillimin e procesit mësimor. Në disa pjesë të Ukrainës, shkollat po e zhvillojnë mësimin nga largësia, por ushtarët rusë i kanë plaçkitur shumicën e shtëpive në fshat, që do të thotë se as mësuesit, as nxënësit nuk kanë kompjuterë ose tabletë.

Rreth 100 nga 188 nxënësit e shkollës tashmë e ndjekin mësimin me orar të shkurtuar. Shumë të tjerë janë ende jashtë vendit ose në pjesën perëndimore të Ukrainës, pasi ishin larguar me familje nga shtëpitë për shkak të luftimeve.

Disa individë dhe organizata bamirëse e kanë kontaktuar shkollën për t’i ofruar ndihmë, sepse kishin lexuar një artikull për shkatërrimin e shkaktuar nga luftimet, tha drejtoresha. Disa dhuruan gjashtë kompjuterë. Dikush tjetër ka premtuar se do t’i paguajë librat, sepse grumbulli i tyre është shkatërruar nga një zjarr gjatë pushtimit.

Mësuesit kanë bërë gjithçka për t’i larguar shenjat e pushtimit rus, përpos në një klasë, ku nuk e kanë fshirë mesazhin e lënë në dërrasë të zezë, si përkujtim të atyre ditëve.

“Mos i turpëroni kujtimet e baballarëve dhe gjyshërve tuaj, ata luftuan KUNDËR nazistëve”, thuhet në porosinë e shkruar me shkumës, që i jep jehonë narracionit të shtrembëruar propagandues të Rusisë se misioni i saj në Ukrainë është “denazifikimi”.

Drejtoresha, nëna e së cilës është ruse dhe është vendosur në Ukrainë rreth 40 vite më parë, tha se ishte vështirë që ta kuptonte mendësinë e rusëve që kishin hyrë në fshat. Ajo nuk flet qe një kohë të gjatë me familjarët në Rusi.

“Është thjesht e paimagjinueshme se çfarë ndodhi, si mundën ta bënin këtë. Ne të gjithë vetëm shpresojmë se fitorja jonë do të vijë sa më shpejt që është e mundshme dhe se ata kurrë nuk do të kthehen më”, tha ajo.

Përktheu: Nasuf Abdyli - Nacionale

Tjera nga autori:
1