<b></b> Paqartësia strategjike e Turqisë kundrejt luftës në Ukrainë

Paqartësia strategjike e Turqisë kundrejt luftës në Ukrainë

09.06.2022 13:38

Që nga fillimi i luftës së Rusisë në Ukrainë, Turqia është përpjekur vazhdimisht të veprojë si ndërmjetëse, por çfarë shpreson të fitojë Ankaraja prej saj?

Është e jashtëzakonshme se si Turqia, një vend që pretendon të anëtarësohet në BE një ditë, po pozicionohet aktualisht përballë Rusisë.

Në fakt, nëpërmjet një akti të aftë balancues, ajo ka mbajtur lidhje të ngushta si me Ukrainën ashtu edhe me Rusinë. Ajo ka kritikuar pushtimin e Rusisë në Ukrainë, por nuk është rreshtuar me sanksionet perëndimore ndaj Moskës.

Ka pasur tentativa për bisedime paqeje me delegacionet ruse dhe ukrainase në tokën turke.

Turqia ka aktivizuar gjithashtu Konventën e Montreaux dhe kështu ka bllokuar kalimin e anijeve luftarake të huaja, përfshirë ato ruse, përmes Bosforit.

Në të njëjtën kohë, Ankaraja i shet Ukrainës drone Bayraktar, të cilët, sipas ekspertëve ushtarakë, janë ndër mjetet ajrore më të mira pa pilot në treg.

Thënë shkurt, Ankaraja duket se ruan paqartësi strategjike, shkruan Euractiv.

Pasi u pengua vizita e tij e planifikuar në Serbi këtë javë, Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov tani ka bërë një vizitë tek homologu i tij turk Mevlüt Çavuşoğlu.

Të dy kishin për qëllim të diskutonin një plan që mund të lejonte Ukrainën të eksportonte drithërat e saj përmes Detit të Zi në tregjet globale, gjë që mund të ndihmonte në zbutjen e krizës së përshkallëzuar të ushqimit.

Aktualisht, Ukraina i ka rreth 22 milionë tonë drithë që presin të eksportohen.

Ankaraja është shfaqur si akteri më i mirë për të krijuar një mekanizëm të udhëhequr nga OKB-ja për të krijuar një korridor të sigurt për transportin e grurit ukrainas, ndërsa në të njëjtën kohë u jep hapësirë ​​rusëve për të eksportuar ushqime dhe plehra.

Turqia mund të lehtësojë dhe sigurojë transportin e grurit në Detin e Zi, thonë zyrtarët turq. Ministri i Mbrojtjes Hulusi Akar ka thënëse detajet teknike ishin ende duke u përpunuar.

“Përpjekjet tona po vazhdojnë në lidhje me planifikimin teknik për çështje të tilla si si do të bëhet, si do të pastrohen minat, kush do ta bëjë këtë, si do të vendoset korridori dhe kush do të shoqërojë (anijet),” tha Akar.

Mirëpo pastrimi i minave mund të jetë më shumë se thjesht një çështje "teknike", pasi zonat detare të çminuara rreth bregut të Ukrainës mund të paraqesin hapje të rrugës për Moskën për të nisur sulme, nëse vendos ta bëjë këtë.

Duhet pasur parasysh edhe një gjë tjetër: nëse një marrëveshje e tillë do të lehtësohet nga Rusia dhe Turqia në të ardhmen e afërt, çfarë do të thotë që një sasi e madhe gruri ukrainas është nën kontrollin e Putinit dhe Erdoganit?

Për Erdoganin, çdo sukses në ndërmjetësimin e Ukrainës, çfarëdo forme që mund të marrë, do të ishte pa diskutim një triumf i madh që ai mund ta përdorte brenda vendit përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm.

Natyrisht, Ukraina nuk është e vetmja temë në axhendën e bisedimeve Lavrov-Çavuşoğlu.

Ata gjithashtu pritet të fokusohen në planet e Ankarasë për të nisur një ofensivë të re ndërkufitare në veri të Sirisë kundër milicisë kurde siriane që Turqia e konsideron si një kërcënim sigurie.

Përfundimi këtu është se Turqia ka nevojë për bekimin e Rusisë për të vazhduar praninë dhe operacionin e saj në Sirinë veriore, megjithëse të dyja mbështesin anët e kundërta në luftën civile të Sirisë.

Një elefant tjetër në dhomën e takimit të Lavrov është, sigurisht, kërkesa e Suedisë dhe Finlandës për t'u bashkuar me NATO-n.

Turqia e cila është anëtare e aleancës, ka shprehur kundërshtimin ndaj pranimit të vendeve nordike duke përmendur mbështetjen e tyre të supozuar për militantët kurdë.

Moska e ka kundërshtuar gjithashtu kërkesën e tyre – dhe ky detaj i vogël por i rëndësishëm mund të luajë një rol të rëndësishëm në diskutimet në lidhje me Ukrainën dhe Sirinë.

Tjera nga autori:
1