<b></b> Pas një viti, Bashkimi Evropian vendosë të lirojë qindra miliona euro ndihmë për palestinezët

Pas një viti, Bashkimi Evropian vendosë të lirojë qindra miliona euro ndihmë për palestinezët

14.06.2022 20:08

Pas një takimi me zyrtarë të Autoritetit Palestinez, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen ka njoftuar se fondet e ngrira për palestinezët të vitit 2021 mund të "disbursohen me shpejtësi".

Ngrirja e ndihmave ishte për bërë për shkak të shqetësimeve se në librat shkollorë palestinezë lavdërohej dhuna dhe promovohej antisemitizmi.

"Të gjitha vështirësitë janë zhdukur," tha von der Leyen në një konferencë shtypi të mbajtur në Ramallah, në Bregun Perëndimor të pushtuar, pa përmendur nëse kishte kërkuar ndonjë ndryshim në tekstet shkollore.

Ndërsa, kryeministri palestinez Mohammed Shtayyeh falënderoi Evropën për rifillimin e financimit, i cili tha se erdhi "pa kushte".

Autoriteti Palestinez, i cili qeveris pjesë të Bregut Perëndimor, mbështetet nga paratë e donatorëve, ku BE-ja, së bashku me shtetet dhe institucionet e tjera evropiane, kanë qenë së bashku mbështetësi i saj më i madh, duke dhënë rreth 600 milionë euro në vit.

Por që nga viti 2020, një pjesë e madhe e financimit të BE-së - me vlerë rreth 215 milionë euro - nuk është dorëzuar për shkak të shqetësimeve të zyrtarëve për tekstet palestineze.

Në korrik të vitit të kaluar Komisioneri Evropian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi, kishte kërkuar kushtëzimin e ndihmës për AP-në, derisa të sigurojë që të gjitha materialet arsimore t’u përmbahen plotësisht standardeve të UNESCO-s për paqen, tolerancën, bashkëjetesën dhe jo dhunën.

Por, ditën e martë von der Leyen tha se BE-ja po punonte për të mbështetur popullin palestinez, veçanërisht më të rrezikuarit, dhe se do të mobilizonte 25 milionë euro për të përmirësuar sigurinë ushqimore në territoret palestineze, të cilat varen shumë nga importet e drithërave nga Ukraina e shkatërruar nga lufta.

Ajo po ashtu, premtoi në një fjalim në një universitet në jug të Izraelit të vendoste "luftën kundër antisemitizmit dhe nxitjen e jetës hebreje në Evropë në thelb të agjendës së Komisionit Evropian", duke shtuar se BE dëshironte të rritë bashkëpunimin energjetik me Izraelin në përgjigje të përdorimit të karburanteve fosile nga Rusia për të "shantazhuar" bllokun mbi Ukrainën.

Tjera nga autori:
1