<b></b> Pasaportat e para ruse iu dhanë banorëve të Khersonit

Pasaportat e para ruse iu dhanë banorëve të Khersonit

11.06.2022 17:56

Rusia ua dorëzoi pasaportat e para banorëve të Khersonit, një qytet në Ukrainën jugore të pushtuar nga trupat ruse, njoftuan agjencitë ruse të lajmeve.

Sipas agjencisë zyrtare TASS, 23 banorë të Khersonit morën një pasaportë ruse në një ceremoni të veçantë si pjesë e një "procedure të thjeshtuar" të mundësuar nga një dekret i nënshkruar nga presidenti rus Vladimir Putin në fund të majit. "Të gjithë banorët tanë të Khersonit duan të marrin një pasaportë dhe shtetësi ruse sa më shpejt të jetë e mundur", tha Vladimir Saldo, kreu i administratës pro-ruse të rajonit, pas ceremonisë së dorëzimit të pasaportave.

"Një epokë e re po fillon për ne. Ky është dokumenti më i rëndësishëm që një person ka në jetë", tha ai për mediat e huaja.

Autoritetet pro-ruse në Kherson thanë se kishin zgjedhur datën e lëshimit të pasaportave të para ruse që të përkonte me festimin e festës kombëtare ruse, Ditës së Rusisë, 12 qershor. Në atë ditë, rusët festojnë shpalljen e pavarësisë së vendit.

Zona e Khersonit u pushtua pothuajse plotësisht nga ushtria ruse në fillim të ofensivës së saj të nisur më 24 shkurt. Dekreti, i nënshkruar nga Kremlini në fund të majit, duke autorizuar autoritetet lokale pro-ruse për të lëshuar pasaporta për banorët, zbatohej gjithashtu për rajonin e Zaporizhia, i cili kontrollohet pjesërisht nga Moska.

Ukraina dënoi miratimin dhe vendosjen e kësaj procedure të veçantë, duke dënuar “shkeljen flagrante” të integritetit të saj territorial.

“Dekreti i presidentit rus është ligjërisht i pavlefshëm dhe nuk do të ketë pasoja” mbi “shtetësinë ukrainase të banorëve të zonës së pushtuar përkohësisht nga Rusia”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme të Ukrainës. /Nacionale/

Tjera nga autori:
1