<b></b> Për 100 ditë Rusia ka fituar gati 100 miliardë dollarë nga eksportet e naftës dhe gazit

Për 100 ditë Rusia ka fituar gati 100 miliardë dollarë nga eksportet e naftës dhe gazit

13.06.2022 18:17

Qendra e pavarur e Kërkimit për Energjinë dhe Ajrin e Pastër (CREA), ka zbuluar se që nga nisja e pushtimit, Rusia ka fituar gati 100 miliardë dollarë nga eksportet e naftës dhe gazit.

Raporti nga qendra tregon se pasi shumë vende iu shmangën furnizimeve ruse, në muajin mars të ardhurat kanë rënë por megjithatë mbeten prapë shumë të larta.

Ndër vendet që janë zotuar të shkurtojnë importet ruse janë BE, SHBA dhe Britania e Madhe. Por raporti i CREA zbuloi se Rusia ende fitoi 97 miliardë dollarë të ardhura nga eksportet e karburanteve fosile nga 24 shkurti deri më 3 qershor, ku vetëm Bashkimi Evropian përbënte 61% të këtyre importeve, me vlerë rreth 59 miliardë dollarë.

Në përgjithësi, eksportet e naftës dhe gazit rus janë në rënie dhe të ardhurat e Moskës nga shitja e energjisë kanë rënë nga një kulm që ishte prej mbi 1 miliard dollarë në ditë në mars. Por, CREA vlerson se të ardhurat kishin tejkaluar koston e luftës në Ukrainë gjatë 100 ditëve të para, duke thënë se Rusia shpenzonte rreth 876 milionë dollarë në ditë për pushtimin.

BE planifikon të ndalojë importet ruse të naftës që vijnë nga deti deri në fund të vitit 2022, gjë që do të shkurtonte importet me dy të tretat. Ndërsa, në muajin mars blloku u angazhua gjithashtu për të reduktuar importet e gazit nga Rusia me dy të tretat brenda një viti.

Megjithatë, deri më tani nuk është rënë dakord për një ndalim të plotë.

Ndërkohë, SHBA është vendi që ka shpallur ndalimin e plotë të importeve ruse të naftës, gazit dhe qymyrit, kurse Mbretëria e Bashkuar ka thënë se do të heqë gradualisht importin e naftës ruse deri në fund të vitit.

Raporti i CREA tha se embargoja e planifikuar e BE-së për naftën do të kishte një ndikim të rëndësishëm. Por paralajmëroi se sasi të mëdha të naftës së papërpunuar ruse tani po dërgoheshin në Indi, e cila rriti eksportet totale të papërpunuara të Rusisë nga rreth 1% para pushtimit të Ukrainës në 18% në maj.

Raporti po ashtu tha se një "pjesë e konsiderueshme" e naftës po përpunohej dhe shitej - shpesh klientëve në SHBA dhe Evropë, diçka që në raport përshkruhet si “një zbrazëti e rëndësishme për t'u mbyllur".

Raporti po ashtu thekson se ndërsa Rusia kërkon tregje të reja për naftë, shumica e saj po transportohet me anije - dhe shumica e anijeve të përdorura janë në pronësi të kompanive evropiane dhe amerikane.

Në raport thuhet se përveç Indisë, vende të tjera që rritën importet e karburantit rus përfshinin Francën, Kinën, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabinë Saudite.

Në pamje të parë, ky raport përmban shumë lajme të këqija, pasi në fakt, shitjet e energjisë janë ende duke financuar luftën në Ukrainë. Por kjo nuk do të thotë se presioni ndaj Moskës nuk do të tregojë rezultat në fund.

Autorët e raportit presin që një embargo e pjesshme e BE-së ndaj naftës ruse të shkurtojë të ardhurat me rreth 36 miliardë dollarë në vi. E ndërsa, eksportet e gazit tashmë kanë rënë në mënyrë dramatike, ka plane për të reduktuar edhe më tej varësinë e Evropës nga Rusia.

Artikull i përkthyer nga BBC.

Tjera nga autori:
1