<b></b> Perëndimi ngrihet kundër Putinit: Finlanda gati për luftë e NATO mbështet Lituaninën për bllokadën e Kaliningradit

Perëndimi ngrihet kundër Putinit: Finlanda gati për luftë e NATO mbështet Lituaninën për bllokadën e Kaliningradit

22.06.2022 17:58

Në një kohë kur fantazma e Luftës së Tretë Botërore është shfaqur mbi Perëndimin, Finlanda ka paralajmëruar Rusinë se është gati për luftë, ndërsa SHBA thotë se çdo sulm ndaj Lituanisë do të ishte një sulm kundër të gjithë NATO-s.

Shefi i forcave të armatosura finlandeze, gjenerali Timo Kivinen është shprehur se vendi ka qenë duke u përgatitur për një sulm rus për dekada të tëra dhe në rast se një gjë e tillë do të ndodhte vendi është gati për një rezistencë të ashpër.

Kivinen thotë se, vendi ka ndërtuar një arsenal të konsiderueshëm, duke shtuar se përveç pajisjeve ushtarake, një faktor vendimtar është që edhe finlandezët janë të motivuar për të luftuar.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara thanë sot se mbështetja e tyre për Lituaninë është "e hekurt" dhe se çdo sulm ndaj vendit do të "përbënte një sulm ndaj të gjithë anëtarëve të NATO-s".

Këto deklarata vijnë pas një kërcënimi të Moskës ndaj fqinjit të saj Lituanisë, për shkak të bllokimit të disa mallrave të sanksionuara nga BE-ja që të arrijnë përmes vendit në enlavën ruse të Kaliningradit.

E duke shtuar më shumë tensionet, forcat e armatosura franceze kryen një stërvitje ushtarake të befasishme në Estoni, anijet luftarake kineze dhe ruse lundruan pranë brigjeve japoneze dhe Gjermania paralajmëroi Rusinë që të mos kërcënonte me hakmarrje Lituaninë.

Rusia është e zemëruar gjithashtu nga Finlanda, e cila në përgjigje të agresionit rus, ka aplikuar për t’u bashkuar me NATO-n.

Finlanda në vitet 1940 ka luftuar dy luftra kundër fqinjit të saj lindor, ndërsa që nga Lufta e Dytë Botërore, Helsinki ka mbajtur një nivel të lartë të gatishmërisë ushtarake.

"Ne kemi zhvilluar sistematikisht mbrojtjen tonë ushtarake pikërisht për këtë lloj lufte që po zhvillohet atje (në Ukrainë), me një përdorim masiv të fuqisë së zjarrit, forcave të blinduara dhe gjithashtu forcave ajrore," tha Kivinen.

"Ukraina ka qenë një kafshatë e vështirë për t'u përtypur (për Rusinë) dhe po ashtu është edhe Finlanda."

Gjatë dy luftrave që Finlanda bëri kundër Bashkimit Sovjetik, vendi humbi të paktën 100,000 finlandezë dhe një të dhjetën e territorit të saj. Por, edhe pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, kombi prej 5.5 milionë banorësh ka një forcë trupash prej rreth 280,000 personash me 870,000 të tjerë të trajnuar si rezervistë. Finlanda nuk ka hequr as detyrimin ushtarak për meshkujt siç bënë shumë vende të tjera.

Vendi gjithashtu ka ndërtuar një nga artileritë më të forta të Evropës, është e pajisur me raketa lundrimi me rreze veprimi deri në 370 km dhe shpenzon 2% të PBB-së së saj për mbrojtje - një nivel më i lartë se sa që e kanë shumë vende të NATO-s.

Ndërkohë, ministrja gjermane e Mbrojtjes Christine Lambrechet, duke folur për situatën e Lituanisë pas bllokimit të mallrave ruse për në Kaliningrad, tha se, “Gjermania dhe partnerët e tjerë në NATO-s ofrojnë mbështetje masive për vendin, në formën e ushtarëve, armëve dhe pajisjeve.

Ajo u shpreh me fjalët:

"Ne nuk do të japim asnjë milimetër të territorit të NATO-s. Kjo është forca që ne kemi treguar javët e fundit dhe të cilën presidenti rus Vladimir Putin ndoshta nuk e priste."

Gjermania po ashtu është zotuar të vendosë më shumë trupa në Lituani për të forcuar krahun lindor të NATO-s, i cili kufizohet me Rusinë.

Ndërkohë, edhe ministrja franceze e Mbrojtjes, ka njoftuar se forcat e armatosura franceze kanë zhvilluar stërvitje ushtarake në Estoni, duke vendosur më shumë se 100 parashutistë në vendin baltik që është fqinj me Rusinë.

Artikull i përkthyer nga DailyMail.

Tjera nga autori:
1