<b></b> Përkeqësohen raportet mes Rusisë dhe Lituanisë

Përkeqësohen raportet mes Rusisë dhe Lituanisë

23.06.2022 12:58

Kushdo që udhëton me tren nga Moska në Kaliningrad duhet të tregojë pasaportën në tre kufij shtetërorë: atë rus, bjellorus dhe lituanez. Bjellorusia dhe Lituania janë midis Rusisë dhe enklavës së Kaliningradit. Ndërsa Bjellorusia vazhdon të lejojë kalimin e të gjithë trenave rusë, Lituania së fundmi ka ndaluar kalimin e atyre trenave që transportojnë mallra, eksporti i të cilëve në Rusi është i ndaluar.

Për ministrin e Jashtëm të Lituanisë, Gabrielius Landsberigs, kjo është logjike dhe mbi të gjitha zbatimi ligjor i sanksioneve të BE-së kundër Rusisë. Por për politikanët rusë, kjo është një bllokadë armiqësore e njerëzve të rajonit të Kaliningradit, Lituania, thonë ata, po shkel rregullat ndërkombëtare për qarkullimin e mallrave, madje po shkel edhe të drejtat e njeriut.

Bëhet fjalë për trena që, ndër të tjera, transportojnë qymyr, metale, çimento, dru dhe materiale të tjera ndërtimore - Bashkimi Evropian ia ka ndaluar Rusisë importin e të gjitha këtyre mallrave për shkak të sulmit në Ukrainë. Guvernatori i rajonit të Kaliningradit, Anton Alikhanov, thotë se këto mallra përbëjnë deri në 50 për qind e të gjitha mallrave që sillen në Kaliningrad.

 

Kërcënimi nga Moska

Kreu i Këshillit të Sigurimit rus, Nikolai Patrushev, i cili mbërriti urgjentisht nga Moska për në enklavën ruse, kërcënoi se Rusia "do të reagonte ndaj veprimeve të tilla armiqësore" dhe shtoi se "masat e duhura do të përpunohen dhe do të zbatohen së shpejti". Këto masa do të kenë "pasoja të rënda, negative për popullsinë e Lituanisë," tha Patrushev.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova kërcënoi gjithashtu se Rusia do t'i jepte vetes të drejtën për të "mbrojtur interesat e saj kombëtare" nëse tregtia e mallrave nuk riaktivizohet brenda pak ditësh. As Patrushev dhe as Zakharov nuk deklaruan se për çfarë masash specifike bëhej fjalë.

Kritika ruse në Lituani nuk ka hasur në mirëkuptim. Gintautas Bartkus nga Universiteti i Vilnius tha për DW se çdo vend anëtar i BE-së ka detyrimin të bëjë gjithçka që është e nevojshme për zbatimin e sanksioneve. Nuk bëhet fjalë për bllokadë të rajonit të Kaliningradit, sepse nuk pengon kalimin e të gjithë trenave të mallrave, thotë ai dhe shton se trenat e pasagjerëve vazhdojnë të qarkullojnë pa probleme. Bartkus thekson se sanksionet u miratuan pikërisht që “vendi ndaj të cilit janë vënë sanksionet të ketë sa më shumë pasoja negative”.

Tjera nga autori:
1