<b></b> Pesha e gazit dhe naftës ruse: a mund t’ia dalë bota pa energjinë e Putinit?

Pesha e gazit dhe naftës ruse: a mund t’ia dalë bota pa energjinë e Putinit?

07.06.2022 12:19

Vendet e Bashkimit Evropian janë pajtuar që t’i ndalojnë të gjitha importet e naftës ruse përmes detit. Blloku thotë se sanksionet e reja kundër “makinerisë së luftës” së Putinit mund ta zvogëlojnë për 90 për qind sasinë e naftës së blerë nga Rusia. Por a mund t’ia dalë bota pa gazin dhe naftën ruse?

Sa janë të ashpra sanksionet e BE-së?

Rusia ka ofruar rreth 25 për qind të importeve të naftës nga shtetet e BE-së – rreth 2.2 milionë fuçi nafte të papërpunuar në ditë dhe 1.2 milion fuçi të prodhimeve të naftës.

Sipas organizatës amerikane, “Carnegie Endowment”, Rusia ka përfituar nga këto eksporte më shumë se një miliard dollarë në ditë.

BE-ja planifikon që t’i ndalë të gjitha importet e naftës nga Rusia përmes detit deri në fundin e këtij viti. Kjo do t’i pakësonte importet e vendeve të BE-së nga Rusia për dy të tretat.


Harta: Naftësjellësit kryesorë mes Rusisë dhe Evropës

Sidoqoftë, Bashkimi Evropian do ta lejojë importimin e 800.000 fuçive në ditë përmes naftësjellësve si “masë e përkohshme”, sepse shtetet si Hungaria dhe Sllovakia janë të varura nga nafta ruse.

Megjithatë, Gjermania dhe Polonia – që gjithashtu importojnë naftë ruse përmes naftësjellësve – thonë se do ta ndërpresin këtë veprim deri në fundin e këtij viti.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, thotë se pas kësaj, Rusia do të eksportojë vetëm 10 ose 11 për qind të naftës që ua ka shitur më parë vendeve të BE-së.

Përpos masave të BE-së, Shtetet e Bashkuara kanë shpallur ndalim të plotë të importeve të naftës, gazin dhe thëngjillit rus. Mbretëria e Bashkuara do t’i ndalë importimin e naftës ruse deri në fundin e vitit.

Çfarë ndikimi mund të kenë sanksionet e naftës ndaj Rusisë?

BE-ja i ka quajtur sanksionet e veta “vendim që shërben si pikë kthese për ta gjymtuar makinerinë luftarake të Putinit”.

E ndihmuar nga rritja e çmimeve të energjisë, Rusia ka marrë rreth 400 miliardë euro gjatë vitit të kaluar nga eksportimi i naftës dhe gazit në Evropë. BE-ja shpreson se do të heqë një copë të madhe të këtyre të hyrave.

Sidoqoftë, nevojiten disa muaj që sanksionet e bllokut të hyjnë në fuqi të plotë dhe, edhe atëherë, Rusia do të mund ta shesë naftën e vet në vende të tjera përreth botës.

“Shtetet në Azi mund të blejnë deri në një milion fuçi në ditë më shumë naftë të papërpunuar nga Rusia dhe ato po bisedojnë tani”, tha David Fyre, ekonomist në kompaninë për të dhëna të energjisë, “Argus Media”.

“Si rezultat i të gjitha sanksioneve të njoftuara deri më tani, Rusia mund të humbë një të tretën ose gjysmën e të hyrave të përgjithshme të naftës, por jo të gjitha”, shtoi ai.

A do të ketë Evropa mungesë nafte?

Shumë shtete evropiane mund të kenë pakësim të furnizimit nga ndalimi i importeve nga Rusia. Lituania dhe Finlanda importuan rreth 80 për qind të naftës nga Rusia në nëntor të vitit të kaluar.

Megjithatë, vendet e BE-së gjithmonë mund të blejnë naftë nga prodhuesit e tjerë. Përpos kësaj, më shumë naftë po futet në tregjet globale.


Grafiku: Përqindja e importeve të naftës ruse nga vendet evropiane krahasuar me sasinë e përgjithshme që e kanë blerë

Organizata “IEA” – grup i vendeve që importojnë naftë – ka lëshuar 120 milionë fuçi të naftës së papërpunuar nga rezervat e saj. Edhe presidenti amerikan, Joe Biden, ka dhënë urdhër për lëshimin e një sasie të madhe të naftës nga rezervat e ShBA-së.

“Vendet si Arabia Saudite mund ta fillojnë futjen e sasive më të mëdha të naftës në tregun botëror më vonë këtë vit dhe mund të ketë më shumë furnizim edhe nga ShBA-ja, tha Kate Dourian, anëtare e Institutit për Shtetet e Gjirit Arab në Uashington.

Sa varet Evropa nga gazi rus?

Rusia e furnizon BE-në me 40 për qind të gazit natyror që e eksporton. Qeveria ruse e ka shfrytëzuar kontrollin që ky fakt ia mundëson ndaj vendeve evropiane.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka kërkuar që shtetet “jomiqësore” në Evropë ta paguajnë gazin e vendit të tij në rubla për ta ndihmuar rritjen e vlerës së valutës ruse.

Polonia, Bullgaria dhe Finlanda e kanë refuzuar këtë kërkesë dhe Rusia ua ka ndalur furnizimin. BE-ja e ka cilësuar këtë veprim të Rusisë si një formë shantazhi.


Grafiku: Importimi i gazit rus nga vendet e BE-së në miliardë metra kub

A do ta sanksionojë BE-ja gazin rus?

Në mars, vendet e BE-së u zotuan se do t’i zvogëlonin importet e gazit nga Rusia për dy të tretat brenda një viti.

Gjermania, ekonomia më e madhe e Evropës, varet nga Rusia për gati gjysmën e furnizimit të saj me gaz.

Ka dyshime nëse shtetet e BE-së do të mund të gjejnë furnizim me gaz nga vendet e tjera përpos Rusisë.

“Do të duhej t’u drejtohej prodhuesve si ShBA-ja dhe Katari, që do të duhej ta dërgonin gazin e lëngëzuar natyror me cisterna”, tha Kate Dourian.

“Por në Evropë nuk ka terminale të mjaftueshme për gaz të lëngëzuar natyror. Ky do të jetë problem për Gjermaninë, veçanërisht. Thjesht nuk i ka pajisjet për ta shkarkuar atë”, shtoi ajo.

Çfarë do të ndodhë me faturat e ngrohjes dhe karburanteve?

Konsumatorët ballafaqohen me rritje të çmimit të faturave të energjisë dhe karburanteve, kur të hyjnë në fuqi sanksionet ndaj energjisë ruse.

Çmimet për ngrohje në Evropë – tashmë të larta – ka gjasë që të ngrihen edhe më shumë, nëse kufizohet eksportimi i gazit rus në Evropë.

Tjera nga autori:
1