<b>Plani për kidnapim </b> të ministrit e rrëzim të qeverisë në Gjermani, dyshohet për terrorizëm

Plani për kidnapim të ministrit e rrëzim të qeverisë në Gjermani, dyshohet për terrorizëm

26.04.2022 17:48

Prokurorët federalë gjermanë morën të martën një hetim ndaj ekstremistëve anti-qeveritar, të cilët dyshohet se kishin planifikuar të shkaktonin një ndërprerje të gjatë mbarëkombëtare  të energjisë dhe të rrëmbenin ministrin e Shëndetësisë të vendit, duke thënë se ka prova që grupi përbënte një organizatë terroriste.

AP shkruan se katër burra gjermanë u arrestuan më 13 prill për rolet e tyre të dyshuara në komplot, për të cilin autoritetet dyshojnë se kishte për qëllim krijimin e "kushteve të ngjashme me luftën civile" dhe përfundimisht rrëzimin e qeverisë dhe demokracisë parlamentare.

Prokurorët federalë në Gjermani, të cilët merren me çështjet e terrorizmit dhe të sigurisë kombëtare, thanë se po ndërhynin sepse ka indikacione të mjaftueshme që të dyshuarit mund të kenë themeluar ose kanë qenë anëtarë të një organizate terroriste. Burrat dyshohen gjithashtu për përgatitjen e një akti të rëndë dhune dhe shkelje të ligjit për armët.

Hetuesit kanë thënë se të dyshuarit ishin të lidhur me lëvizjen protestuese kundër kufizimeve të koronavirusit dhe me lëvizjen Qytetarët e Rajhut, e cila kundërshton legjitimitetin e kushtetutës gjermane të pas Luftës së Dytë Botërore dhe, si rrjedhojë, qeverisë aktuale.

Në kohën e arrestimeve, autoritetet thanë se qëllimi i deklaruar i grupit ishte të shkatërronte objektet e furnizimit me energji elektrike dhe të shkaktonte një ndërprerje të gjatë në të gjithë vendin për të krijuar kaos. Në vendin e kapjes, policia sekuestroi 22 armë zjarri, përfshirë një pushkë kallashnikov, së bashku me qindra fishekë, mijëra euro kesh, si dhe shufra ari dhe monedha argjendi. Ata po ashtu gjetën cetifikata të falsifikuara të vaksinimit dhe testeve për COVID-19.

Ndërsa, ministrja e Brendshme gjermane Nancy Faeser tha në fillim të këtij muaji se hetimi tregonte për "një kërcënim serioz terrorist" dhe se plani për të rrëmbyer ministrin e Shëndetësisë Karl Lauterbach dhe fantazitë për përmbysjen e demokracisë përbëjnë "një lloj të ri kërcënimi".

Tjera nga autori:
1