<b></b>

"Po planifikojnë diçka": Lufta e Rusisë e përqendruar në Donbas, por Putini nuk ka hequr dorë nga Kjevi

29.05.2022 11:12

Ky artikull është përkthyer nga The Observer prej Nacionales, me gazetarin e tyre Shaun Walker që raporton nga Kjevi. Flet për atë që po ndodh e mund të ndodh në luftën e Ukrainës. 

Pas tre muajsh të një lufte të plotë ndaj Ukrainës, në të cilën trupat tokësore invaduan nga disa drejtime dhe raketat goditën shënjestra në mbarë vendin, deri në kufirin perëndimor me Poloninë, fokusi i fazës së fundit të konfliktit është kthyer në rajonin ku Rusia ka luftuar në tetë vitet e kaluara: Donbas.

Analisti ushtarak Michael Kofman ka shkruar në Twitter javën e kaluar këto fjalë: “Balansi i përgjithshëm ushtarak në këtë luftë ende mbetet në anën e Ukrainës, marrë parasysh personelin ushtarak në dispozicion dhe qasjen në ndihmat ushtarake nga Perëndimi... por balansi lokal në Donbas gjatë kësaj faze është një storje ndryshe.”

Sa plotësisht dhe sa shpejt Vladimir Putini do t’i arrijë objektivat e tij në Bonbas mund ta diktojë mënyrën se si dhe nëse pjesët e tjera të Ukrainës do të rikthehen në lojë. Niveli i humbjeve po ashtu luan rol.

DONBASI

Rusia ka lënë përpjekjet për t’i rrethuar të gjitha forcat ukrainase në Donbas për një qëllim pak më modest në krijimi n e “kazanëve” – rrethimeve më të vogla për t’i prerë Ukrainës rrugët e furnizimit dhe përforcimeve.

Javën që shkoi, fokusi ishte në qytetin e Sievierodonetskut, ku guvernatori lokal Serhiy Haidai tha që Rusia kishte vënë 10 mijë ushtarë dhe 2500 pajisje shtesë për sulm ndaj qytetit. Ka raportime se tashmë rusët e kanë nën kontroll një hotel në periferi të qytetit, pas shumë ditësh të bombardimeve mizore.

FOTO: Grafika nga The Guardian

Nëse Rusia e merr Sievierodonetskun, do të kontrollojë gjithë rajonin e Luhanskut, dhe mund të rris fokusin në pjesë tjera të Donetskut që nuk i kontrollon ende.

“Nuk mendoj që ofensiva ruse ka ngecur, dhe edhe pse e plogësht, nuk ka një formë për të parashikuar se kur do të arrijë kulmin,” shkroi Kofman.

TERRITORET E OKUPUARA

Nuk ka më asnjë dyshim se Rusia planifikon të aneksojë pjesë të Ukrainës, siç ndodhi me Krimenë në vitin 2014. Atëherë, Moska e kishte mohuar se do ta bënte të njëjtën gjë me zonat që i kontrollonte në lindje të Ukrainës, duke preferuar të përgatiste administratat separatiste të atjeshme. Tash, ka bisedime për aneksime rapide të pjesëve të Khersonit dhe Zaporizhzhias, provinca që Rusia i mori në ditët e para të invazionit.

Për dallim nga Mariupoli, të cilin Rusia e pushtoi pasi e bombardoi dhe e rënoi – dhe ndoshta edhe qyteteve tjera në Donbas që Rusia mund t’i kapë – këto territore ishin kryesisht të kapura pa luftë.

Zonat kanë pasë një rritje të përkrahjes për Ukrainën, e ka raportime se Rusia po e vendos rublën dhe kohën zonale të Moskës, që mësuesit do t’i nënshtroheshin kurrikulave të Rusisë, dhe ka një seri videosh të banorëve lokalë që në kamera tregojnë se kanë qenë pjesë e “kursit për denazifikim” dhe nuk e mbështesin më Ukrainën.

Aneksimi formal i këtij territori mund të ketë pasoja të mëdha për mundësinë e një marrëveshjeje për paqen. Ukraina nuk do të pranojë humbjen e këtyre zonave, por nëse lanson një kundërsulm, Rusia mund të pretendojë se Ukraina ka sulmuar në territorin rus.

KJEVI

Jeta në kryeqytetin e Ukrainës duket më normale për çdo javë që kalon. Sirenat që paralajmërojnë sulmet ajrore dhe burrat me armë nëpër rrugë janë përkujtues të luftës, por teracat e kafeneve janë të zëna, opera është rihapur dhe ora policore është pakësuar. Prej që rusët u tërhoqën në fillim të muajit prill, nuk ka pasur kërcënim artilerik, dhe as krisma bombash që karakterizuan javët e para të luftës.

FOTO: Banorët e Kjevit ndalen për ta shikuar një tank rus të shkatërruar | Christopher Furlong, Getty Images

Sidoqoftë, mediumi në gjuhën ruse i quajtur Meduza javën e kaluar citoi burime të lidhura me Kremlinin duke pretenduar që Putini nuk kishte hequr dorë nga Kjevi dhe se mund të niste një sulm të ri sapo të përfundonte beteja në Donbas.

HARKIVI 

Njësoj si me Kjevin, rusët kanë provuar që të marrin edhe qytetin e dytë më të madh në ditët e para të luftës, dhe si me Kjevin, janë përballur me një rezistencë të fortë e të papritur, dhe mbetën në periferi e më pas u kthyen tembrapshtë në pozicione tjera.

Në javët e fundit, forcat ukrainase kanë shtyrë rusët edhe më larg por, si në rastin e Kjevit, invaduesit janë ende brenda distancës që i lejon të sulmojnë. Të enjten e kaluar, zonat brenda limiteve të qytetit u bombarduan për herë të parë në dy javë dhe nëntë civilë u vranë, sipas autoriteteve lokale.

Komandantët ushtarakë thanë që nuk ka shenja të një avancimi të ri në Harkiv, por rusët po i gërmojnë thellë pozicionet që ende i mbajnë, pa plane për tërheqje për në kufi siç e kishin bërë tjetërkund.

“Po planifikojnë diçka,” tha një komandant që e kishte shtabin jashtë qytetit.

“Mund ta kuptojmë se çka po planifikojnë, veç pasi të ndodh.”

Tjera nga autori:
1