<b></b> Presidenti Macron humb shumicën parlamentare

Presidenti Macron humb shumicën parlamentare

20.06.2022 10:59

Presidenti francez Emmanuel Macron ka humbur kontrollin e Asamblesë Kombëtare në zgjedhjet legjislative pas fitores së rëndësishme nga aleanca e sapoformuar e krahut të majtë dhe fitores rekord nga e djathta ekstreme.

Rezultati, i shpallur në orët e para të së hënë e ka futur politikën franceze në trazira, duke rritur mundësinë e një legjislativi të paralizuar nëse Macron nuk është në gjendje të negociojë koalicione me partitë e tjera.

Macron, 44 vjeç, tani rrezikon gjithashtu të shpërqendrohet nga problemet e brendshme pasi ai kërkon të luajë një rol të rëndësishëm në përfundimin e pushtimit rus të Ukrainës, e po ashtu të ketë rol kyç në Bashkimin Evropian.

Koalicioni qendror i partisë së Presidentit Macron do të jetë ende partia më e madhe në Asamblenë e ardhshme Kombëtare. Mirëpo sipas rezultateve, ajo ka fituar 245 vende, ndërsa janë të nevojshme 289 vende për një shumicë në dhomën prej 577 anëtarësh.

Një aleancë e gjerë e krahut të majtë, NUPES, e bashkuar pas veteranit të krahut të majtë Jean-Luc Melenchon, u vendos të ishte grupi më i shquar i opozitës, ndërsa partia Rally National e lideres së ekstremit të djathtë Marine Le Pen shënoi një rritje dhjetëfish dhe do të ketë 89 ligjvënës në parlamentin e ri.

“Kjo situatë përbën një rrezik për vendin tonë, duke pasur parasysh sfidat me të cilat duhet të përballemi”, tha kryeministrja Elisabeth Borne në një deklaratë televizive., raporton AlJazeera.

“Ne do të punojmë nga nesër për të ndërtuar një shumicë,” tha ajo.

Ministri i Financave Bruno Le Maire e quajti rezultatin një "shok demokratik" dhe premtoi se do t'u drejtohej të gjitha partive pro-evropiane për të ndihmuar në qeverisjen e vendit.

Rezultati njollos rëndë fitoren e Macron në zgjedhjet presidenciale të prillit, kur ai mundi të djathtën ekstreme për t'u bërë presidenti i parë francez që fiton një mandat të dytë në më shumë se dy dekada. Ai gjithashtu ngre pyetje mbi aftësinë e Macron për të përmbushur axhendën e tij të mandatit të dytë, duke përfshirë shkurtimet e taksave, reformën e mirëqenies dhe rritjen e moshës së daljes në pension.

"Është një pikë kthese për imazhin e tij të pathyeshmërisë," tha Bruno Cautres, një studiues në Qendrën për Kërkime Politike të Shkencave Po.

Tani nuk ka një skenar të caktuar në Francë se si do të zhvillohen gjërat. Hera e fundit që një president i sapozgjedhur nuk arriti të merrte një shumicë të plotë në zgjedhjet parlamentare ishte në vitin 1988.

Macron mund të shpall zgjedhje të parakohshme nëse pasojnë bllokime legjislative.

Tjera nga autori:
1