<b></b> Presidenti i Filipineve godet Putinin: Unë vras kriminelë, jo fëmijë e pleq

Presidenti i Filipineve godet Putinin: Unë vras kriminelë, jo fëmijë e pleq

24.05.2022 16:41

Presidenti i Filipineve në largim Rodrigo Duterte ka kritikuar ashpër liderin rus Vladimir Putin për vrasjet e civilëve të pafajshëm në Ukrainë, duke thënë se edhe pse të dy prej tyre janë etiketuar si vrasës, ai vret kriminelë, e jo fëmijë e të moshuar.

Kjo ishte hera e parë që Duterte, i cili e quan hapur Putinin një idhull dhe mik, ka reaguar ashpër ndaj pushtimit rus në Ukrainë, duke thënë se kjo luftë ka ndikuar edhe në rritjen e çmimeve të naftës në shumë vende, përshirë Filipinet.

Ndërsa, Duterte theksoi se nuk dënonte presidentin rus, ai u shpreh se nuk pajtohet me etiketimin e Putinit që e quan pushtimin “një operacion special ushtarak’, duke thënë se kjo është me të vërtetë një luftë që po zhvillhet kundër një kombi sovran.

“Shumë thonë se Putini dhe unë jemi të dy vrasës. Unë ju kam thënë prej kohësh filipinasve se unë vërtet vras. Por unë vras ​​kriminelët, nuk vras ​​fëmijë dhe të moshuar”, tha Duterte në një takim javor televiziv me zyrtarë kryesorë të kabinetit. "Ne jemi në dy botë të ndryshme."

Duterte, i cili do të japë dorëheqjen e tij më 30 qershor, atëherë kur edhe përfundon mandati i tij i trazuar gjashtëvjeçar, ka qenë në krye të një goditje brutale kundër drogës që ka lënë të vdekur më shumë se 6,000 të dyshuar.

Ndërkohë, ndaj një fushate të tillë kanë reaguar grupet e të drejtave të njeriut, duke thënë se në fushatën e Dutertes, janë vrarë njerëz të pafajshëm, përfshirë fëmijë.

Këto vrasje masive kanë ndezur edhe një hetim nga Gjyakata Penale Ndërkombëtare, duke i cilësur si krim të mundshëm kundër njerëzimit. Ndërsa, Duterte ka thënë se pret që të përballet me padi të shumta për këto vrasje pas përfundimit të mandatit të tij si president.

Duterte dhe zyrtarët e tij të policisë kanë mohuar vrasjet jashtëgjyqësore në fushatën kundër drogave të paligjshme, por kanë kërcënuar hapur me vdekje të dyshuarit për drogë dhe kanë bërë një përpjekje të pasuksesshme për të rivendosur dënimin me vdekje në kombin më të madh katolik romak në Azi.

Në fillim të marrjes së detyrës së tij në vitin 2016, ai i ishte drejtuar Rusisë dhe Kinës për tregti dhe investime, si dhe për të zgjeruar bashkëpunimin ushtarak, ndërsa shpesh ishte kritik ndaj politikave të sigurisë së Uashingtonit.

Presidenti i Filipineve, ka vizituar Rusinë dy herë, në vitin 2017 dhe 2019 për t’u takuar me Putinin. Ndërsa, më shumë se një javë pasi forcat ruse rrethuan Ukrainën, Filipinet votuan në favor të një rezolute të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që dënonte pushtimin rus. Vendi po ashtu, apeloi për mbrojtjen e civilëve dhe infrastrukturës publike në Ukrainë, megjithëse Duterte u tërhoq nga kritika ndaj Putinit duke thënë se do të qëndrojë neutral në një konflikt që mund të çojë në përdorimin e armëve bërthamore dhe të ndezë Luftën e Tretë Botërore.

Duke iu drejtuar Putinit “si mik” dhe Ambasadës Ruse në Manila, Duterte u kërkoi atyre që të ndalojnë bombardimet dhe gjuajtjet e artilerisë në zonat e banuara, si dhe të lejojnë civilët e pafajshëm të evakuohen në mënyrë të sigurtë përpara se të nisin një bombardim.

“Ju jeni në kontroll të gjithçkaje. Ju me të vërtetë e filluat zhurmën atje, kështu që kontrolloni rreptësisht ushtarët tuaj. Ata janë në tërbim”, tha Duterte.

Associated Press.

Tjera nga autori:
1