<b></b> Presidenti i Iranit thotë se pavarësisht sanksioneve të ShBA-së, eksportet e naftës janë dyfishuar

Presidenti i Iranit thotë se pavarësisht sanksioneve të ShBA-së, eksportet e naftës janë dyfishuar

10.05.2022 21:09

Presidenti iranian tha të hënën se vendi po eksporton dy herë më shumë naftë sesa kur ai mori detyrën në gusht, pavarësisht sanksioneve të rënda mbi eksportet e naftës të vendosura nga ShBA.

Sipas Associated Press, Ebrahim Raisi e bëri këtë pretendim në një intervistë të drejtpërdrejtë në televizionin shtetëror pa dhënë detaje, përfshirë sasinë e naftës që eksportohet.

“Shitjet e naftës janë dyfishuar,” tha ai. "Ne nuk jemi të shqetësuar për shitjet e naftës."

Komentet e Raisit erdhën pasi tregjet ndërkombëtare po kërkojnë alternativa ndaj naftës së papërpunuar ruse pas pushtimit të Ukrainës nga Moska dhe sanksioneve perëndimore që pasuan.

Nafta e papërpunuar e Iranit, me një përbërje të ngjashme me atë të Rusisë, konkurron në tregun e naftës.

Si rezultat i luftës dhe shqetësimeve për furnizimin, çmimet e naftës janë rritur në nivelet më të larta shumëvjeçare. Standardi ndërkombëtar i naftës së papërpunuar Brent pothuajse arriti në 140 dollarë në mars, duke rritur sfidën e zbatimit të sanksioneve. Brent po tregtohej mbi 105 dollarë për fuçi të hënën.

Fitimet e papritura të naftës kanë qenë një ndihmë për financat publike të Iranit dhe vendi thotë se tani po shet miliarda dollarë më shumë naftë se më parë, pavarësisht sanksioneve amerikane.

Banka Qendrore e Iranit publikoi statistika në fillim të shkurtit duke sugjeruar se ka realizuar 18.6 miliardë dollarë shitje nafte në gjysmën e parë të këtij viti persian, në krahasim me 8.5 miliardë dollarë të të njejtës periudhë të vitit të kaluar.

Besohet se pjesa më e madhe e asaj nafte shkon drejt Kinës, ndëras edhe Venezuela ka marrë cisterna iraniane në portet e saj.

Javad Owji, ministri i naftës i Iranit, i tha mediave lokale në prill se eksportet e naftës së vendit ishin rritur me 40% që kur Raisi mori detyrën.

Katër vjet më parë, presidenti i atëhershëm Donald Trump e tërhoqi Amerikën nga marrëveshja bërthamore e Iranit me fuqitë botërore të vitit 2015 dhe vendosi sanksione gjithëpërfshirëse ndaj Iranit, duke përfshirë kundër sektorit të tij të naftës – linja e shpëtimit të ekonomisë së vendit.

Eksportet e naftës së papërpunuar të Iranit ranë dhe kompanitë ndërkombëtare të naftës hoqën dorë nga marrëveshjet me Teheranin, duke dobësuar ekonominë e tij.

Marrëveshja bërthamore bëri që Teherani të kufizonte në mënyrë drastike pasurimin e tij të uraniumit në këmbim të heqjes së sanksioneve ekonomike – përfshirë ato që synojnë shitjet e tij të rëndësishme të naftës.

Negociatat në Vjenë për rivendosjen e marrëveshjes së prishur pothuajse arritën në përfundim në fillim të marsit, por bisedimet ngecën. Negociatorët nuk janë mbledhur ende në kryeqytetin austriak, ndërsa koordinatori i Bashkimit Evropian për bisedimet pritet të shkojë në Teheran më vonë këtë javë në një përpjekje të fundit për të thyer bllokimin.

Irani e ka bërë industrinë e naftës të goditur nga sanksionet një çështje thelbësore në negociata me synimin për të arritur pikën ku nafta iraniane shitet lehtësisht dhe pa asnjë pengesë.

Tjera nga autori:
1