<b></b> Prodhuesit francezë të armëve paditen për përfshirje në krime lufte në Jemen

Prodhuesit francezë të armëve paditen për përfshirje në krime lufte në Jemen

02.06.2022 13:35

Tri organizata joqeveritare të enjten paraqitën padi në një gjykatë në Paris kundër tre prodhuesve të rëndësishëm francezë të armëve për përfshirje të mundshme në krime lufte në Jemen pas shitjes së armëve në Arabinë Saudite dhe në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Reuters

Padia, e paraqitur nga Qendra Evropiane për të Drejta Kushtetuese dhe Njerëzore, Mwatana për të Drejtat e Njeriut dhe “Sherpa International”, u dorëzua në kohën e armëpushimit gjithëkombëtar mes koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite dhe rebelëve Houthi, të lidhur me Iranin.

Grupet për të drejtat e njeriut në Francë vazhdimisht janë përpjekur që të dëshmojnë se përkrahja e nënkuptuar e Parisit për koalicionin e ka zgjatur dhe e ka përkeqësuar konfliktin në Jemen, që filloi më 2015, pasi koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite ndërhyri kundër rebelëve Houthi, të cilët e kishin rrëzuar nga pushteti qeverinë jemenase.

Duke i vënë në shënjestër prodhuesit “Dassault Aviation”, “Thales” dhe “MBDA France”, organizatat joqeveritare shpresojnë se do ta mbajnë temën në vëmendjen e publikut në kohën kur Shtetet e Bashkuara dhe aleatët perëndimorë po synojnë që t’i përmirësojnë marrëdhëniet me Arabinë Saudite.

“Sulmet ajrore të koalicionit kanë shkaktuar shkatërrim të tmerrshëm në Jemen. Armët e prodhuara dhe të eksportuara nga shtetet evropiane, sidomos nga Franca, i kanë mundësuar këto krime”, tha Abdulrasheed al-Faqih, drejtor ekzekutiv i organizatës jemenase, Mwatana për të Drejtat e Njeriut.

Prokurorët francezë tashmë janë duke hulumtuar ankesa të ngjashme, që janë paraqitur kundër princit të Abu Dabit, Mohammed bin Zayed al-Nahyan, princit saudit, Mohammed bin Salman, dhe autoritetit francez të doganave.

Armëpushimi i tanishëm ka ofruar ca shpresë në shtetin ku lufta dhe kriza ekonomike pasuese kanë lënë miliona njerëz në ballafaqim me vdekjen nga uria./Nacionale

Tjera nga autori:
1