<b></b> Propagandistët rusë: Lufta e Tretë Botërore ka filluar, duhet ta bëjmë çmilitarizimin e NATO-s

Propagandistët rusë: Lufta e Tretë Botërore ka filluar, duhet ta bëjmë çmilitarizimin e NATO-s

01.06.2022 19:40

Propagandistët rusë kanë pohuar se Lufta e Tretë Botërore tashmë ka filluar dhe paralajmëruan se Britania dhe SHBA do të detyrohen të paguajnë një çmim të rëndë për ndërhyrjen në luftën me Ukrainën.

Në transmetimin e saj më të fundit, Olga Skabeyeva nga kanali televiziv shtetëror "Russia One" i shpalli luftë MB-së, ShBA-së dhe NATO-s, si dhe avokoi për një fushatë të re ushtarake ruse të shtrirë përtej kufijve të Ukrainës.

"Ndoshta është koha për të pranuar se operacioni special i Rusisë në Ukrainë ka marrë fund, në një kuptim që një luftë e vërtetë ka filluar: Lufta e Tretë Botërore," tha Skabeyeva.

“Ne jemi të detyruar të bëjmë çmilitarizimin jo vetëm të Ukrainës, por të gjithë aleancës së NATO-s.”

Deklarata e saj u dha në programin 60 minutësh, ku disa analistë rusë, komentues dhe 'ekspertë politikë' mblidhen për të diskutuar 'operacionin special ushtarak' të Presidentit Vladimir Putin në Ukrainë.

Më pas, edhe Vladimir Avatkov, nga Akademia Diplomatike e Ministrisë së Punëve të Jashtme, dha paralajmërimin e tij për aleatët perëndimorë që ofrojnë mbështetje për Kievin.

“Duhet të kujtojmë fjalët e Vladimir Vladimirovich Putin, i cili tha se kushdo që përpiqet të ndërhyjë në operacionin special ushtarak do të paguajë një çmim të rëndë”.

Ndërsa, deputeti rus Oleg Matveychev deklaroi se "kufijtë aktualë të Polonisë do të ishin të pavlefshëm nëse do të ndërhynte në Ukrainë," përpara se luftënxitësja Skabeyeva ta ndërpresë duke thënë se: "Unë nuk po flisja vetëm për Poloninë, por për Britaninë e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara. ... janë të gjithë të rreshtuar!'

Thirrjet e përsëritura të prezantueses së programit që Rusia të përballet me Perëndimin ndoshta ishin të çuditshme për Avatkov, i cili tha se: "Nuk ka nevojë të nxitosh, ka një linjë... gjithçka do të vijë me kohë".

Kjo thirrje e drejtpërdrejtë për luftë me NATO-n është vetëm e fundit në një varg transmetimesh propagandistike bombastike të kontrolluara nga Kremlini, të krijuara për të frymëzuar patriotizmin te qytetarët rusë dhe për ta kthyer narrativën kundër Perëndimit.

Tjera nga autori:
1