Presidenti rus Vladimir Putin thotë se Perëndimi nuk do të jetë në gjendje të shkëputet nga nafta dhe gazi rus për disa vite.
Presidenti rus ka shtuar se askush nuk e di se çfarë mund të ndodhë deri në atë kohë, kështu që kompanitë ruse nuk do të "betonojnë puset e tyre të naftës”.
BBC shkruan se, deklarata e Putinit vjen pasi një zyrtar amerikan pranoi se fitimet ruse nga energjia mund të jenë më të larta tani sesa ishin para luftës.
BE aktualisht importon rreth 40% të gazit të saj nga Rusia, e ndërsa është zotuar të zvogëlojë varësinë nga nafta ruse me 90% deri në fund të vitit 2022, nuk ka pasur ndonjë vendim për gazin, kurse SHBA ka vendosur një embargo për të gjitha produktet ruse të energjisë, si ndëshkim për pushtimin e Ukrainës.
Por, pavarësisht reduktimit në furnizimin e përgjithshëm, rritja e çmimeve globale të naftës dhe gazit do të thotë se fitimet ruse mund të jenë rritur muajt e fundit.
“Vëllimi i naftës po zvogëlohet në tregun botëror, por çmimet po rriten”, tha presidenti Putin, duke shtuar se fitimet e kompanisë po rriten.
Presidenti rus foli të enjten gjatë një pjesëmarrje në një ekspozitë në Moskë kushtuar 350 vjetorit të lindjes së monarkut rus Pjetri i Madh.
Sundimtari i shekullit të 18-të luftoi një luftë të gjatë territoriale kundër Suedisë, të cilën Putin dukej se e krahasonte me pushtimin e tij në Ukrainë.