<b></b> Qeveria izraelite pranë kolapsit, shkak dorëheqja e një deputeti

Qeveria izraelite pranë kolapsit, shkak dorëheqja e një deputeti

13.06.2022 21:04

Koalicioni i brishtë qeverisës i Izraelit u duk më pranë kolapsit të hënën, pas raportimeve se një deputet nga partia e krahut të djathtë të kryeministrit Naftali Bennett tha se ai "nuk ishte më pjesë" e qeverisë.

Sipas Reuters, zhvillimi erdhi pasi koalicioni ideologjikisht i larmishëm i Bennett, i cili përfshin partitë e djathta të forta, liberale dhe arabe, i është afruar gjithnjë e më shumë një “shpërndarjeje”, një vit pasi i dha fund sundimit rekord 12-vjeçar të Benjamin Netanyahut.

"Kam informuar kryeministrin se bazuar në situatën aktuale, unë nuk jam më pjesë e koalicionit," tha Nir Orbach i partisë së djathtë Yamina në një deklaratë të publikuar nga disa media izraelite.

Obrach nuk dha komente të tjera, përveç deklaratës në të cilën thoshte se anëtarët "ekstremistë dhe anti-sionistë" të parlamentit e kishin çuar koalicionin "në drejtime problematike".

Në deklaratën e tij po ashtu thuhej se ai donte të shmangte një tjetër zgjedhje dhe se nuk do të votonte për të shpërndarë parlamentin, megjithëse largimi i tij e la koalicionin e Bennet me vetëm 59 vende në Knesset (parlament) prej 120 anëtarësh.

Netanyahu, tani lider i opozitës, duke u zotuar të rikthehet edhe pse është në gjyq për korrupsion të dyshuar, tha se qeveria po mbante "një nga funeralet më të gjata në histori".

"Ju nuk po luftoni për vendin tonë, por për vendin tuaj," i tha Netanyahu Bennett, dikur një nga ndihmësit e tij më të ngushtë, gjatë një debati në parlament.

Bennett, një ish komando dhe milioner teknologjik, i cili u fut në politikën kombëtare në vitin 2013, tha se qeveria e tij kishte nxitur rritjen ekonomike, kishte ulur papunësinë dhe eliminuar deficitin për herë të parë në 14 vjet.

“Ne po luftojmë për qeverinë këto ditë”, tha ai në Knesset. "Ne po luftojmë sepse zgjedhja është midis kaosit dhe stabilitetit."

Tjera nga autori:
1