Udhëheqësi i rajonit separatist të Gjeorgjisë së Osetisë Jugore ka caktuar 17 korrikun si datë për mbajtjen e referendumit për bashkimin me Rusinë.
"Anatoly Bibilov ka nënshkruar dekretin për mbajtjen e një referendumi në Republikën e Osetisë Jugore," ka thënë zyra e tij në një deklaratë, duke përmendur "aspiratën historike" të popullit të tij për t'u bashkuar me Rusinë.
Osetia e Jugut ishte në qendër të luftës ruso-gjeorgjiane në vitin 2008, pas së cilës Kremlini njohu këtë territor së bashku me rajonin tjetër separatist, Abkhazinë - si shtet të pavarur dhe vendosi baza ushtarake atje.
"Ne po kthehemi në shtëpi," ka thënë Bibilov në aplikacionin e mesazheve Telegram. “Ka ardhur koha të bashkohemi njëherë e përgjithmonë.
“Osetia e Jugut dhe Rusia do të jenë bashkë. Ky është fillimi i një historie të re të madhe”, shtoi lideri në largim.
Bibilov ka humbur zgjedhjet së fundmi, e me këtë mundësinë për edhe një mandat. Rusia ka shprehur shpresën se lideri i ardhshëm, Alan Gagloev, do të ruajë "vazhdimësinë" në lidhjet me Moskën.
Njoftimi erdhi në ditën e 79-të të fushatës ushtarake të Rusisë në Ukrainë, pushtim i cili solli me mijëra të vrarë dhe më shumë se gjashtë milionë njerëz që u larguan nga vendi properëndimor.
Rajonet separatiste të Ukrainës, Donetsk dhe Lugansk, kanë shprehur gjithashtu interes për t'iu bashkuar Rusisë.
Ofensiva e plotë në Ukrainë ka shkaktuar një shpërthim solidariteti në Gjeorgji.
Gjeorgjia ka denoncuar më parë si "të papranueshme" planet e Osetisë së Jugut për të mbajtur referendum për bashkimin me Rusinë.
Në gusht 2008, Rusia nisi një sulm kundër Gjeorgjisë, e cila po luftonte me milicinë pro-ruse në Osetinë e Jugut, pasi ata bombarduan fshatrat gjeorgjiane.
Luftimet përfunduan pesë ditë më vonë me një armëpushim të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, mirëpo konflikti mori më shumë se 700 jetë, ndërsa u shpërngulën dhjetëra mijëra gjeorgjianë etnikë.
Osetia e Jugut dhe Abkhazia njihen nga Rusia, Siria, Nikaragua, Venezuela, si dhe territoret e panjohura të Nagorno-Karabakut dhe Transnistrisë.