<b></b> Rama kërkon që të kuptohet pozicioni i Serbisë karshi Rusisë, s'pret hapje të negociatave për Shqipërinë

Rama kërkon që të kuptohet pozicioni i Serbisë karshi Rusisë, s'pret hapje të negociatave për Shqipërinë

15.06.2022 11:08

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një intervistë për “Politico”, ka kërkuar që të kuptohet pozicioni i Serbisë karshi Rusisë, por shtoi se beson që Serbia duhet t’i vendosë sanksione Federatës Ruse me kalimin e kohës, pa kërkuar nga Beogradi që të bëjë shumë.

“Duhet të kuptoni se Serbia është në një pozicion shumë më ndryshe nga shumë të tjerë, për shkak të historisë, për shkak të lidhjeve të saj të veçanta me Rusinë”, tha ai.

Sidoqoftë, ai tha se Serbia duhet të vendosë sanksione me kalimin e kohës, por paralajmëroi kundër presionit ndaj Beogradit, që është shumë i varur nga Moska për furnizimin me energji.

Sipas Ramës, vendosja e presionit të madh perëndimor ndaj Serbisë mund të jetë e dëmshme për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.

“Mendoj se Serbia është në rrugën e duhur. Natyrisht, jo me shpejtësinë që mund të na pëlqejë neve, por, më besoni, skenarët e tjerë janë vërtet shumë të këqij për të gjithë dhe sidomos për këtë rajon”, shtoi kryeministri i Shqipërisë.

Ai gjithashtu tha se nuk pret që në samitin e ardhshëm të BE-së, që mbahet javën e ardhshme, të hapet rruga për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe për këtë e fajësoi Bullgarinë.

“Nuk kam ndonjë pritje. Mendoj se nuk do të ndodhë asgjë. Shqipëria dhe Maqedonia Veriore nuk do t’i hapin formalisht bisedimet për pranim”, tha Rama, i ulur në një karrige me lëkurë ngjyrë kafe në zyrën e tij në Tiranë.

Në mars të vitit 2020, qeveritë e të gjitha vendeve të BE-së u pajtuan që t’ua japin dritën e gjelbër Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore për fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Megjithatë, bisedimet ende nuk kanë nisur, sepse Bullgaria këmbënguli se dëshiron koncesione nga Maqedonia Veriore për mosmarrëveshjet dypalëshe për gjuhën, historinë dhe identitetin.

Ndonëse bllokimi i Sofjes vlen vetëm për Maqedoninë Veriore, BE-ja e ka favorizuar trajtimin e aplikimeve të Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore së bashku, prandaj edhe Shqipëria është bllokuar, praktikisht.

Javën e kaluar, kancelari gjerman, Olaf Scholz, e vizitoi Bullgarinë në përpjekje për ta larguar bllokadën e Sofjes para samitit të ardhshëm në Bruksel, që do të mbahet të enjten dhe të premten e javës së ardhshme./Nacionale

Tjera nga autori:
1