<b></b> Raporti e turpëron Johnsonin: Në kohë izolimi, staf i dehur, përleshje, vjellje e abuzim i pastruesve

Raporti e turpëron Johnsonin: Në kohë izolimi, staf i dehur, përleshje, vjellje e abuzim i pastruesve

25.05.2022 15:32

Ndeja që vazhdonin deri në orët e hershme të mëngjesit, staf i dehur, që villte e që kishte përleshje mes vete. Mure të qeverisë të ndyra me verë të kuqe e ndejë e paligjshme e ditëlindjes për kryeministrin Johnson, bashkë me pako birrash e dhjetëra senduiçë.

CNN

Kjo ishte skena në qeverinë britanike përderisa pjesa tjetër e popullit të Mbretërisë së Bashkuar nuk kishte të drejtë që t’i vizitonte familjarët ose miqtë, sipas një hetimi të shumëpritur për ndejat kundër rregullave në kohën e izolimit gjatë fazës së parë të pandemisë së koronavirusit.

Johnson-i po lufton për fronin e vet, pasi në raportin e publikuar të mërkurën nga shërbyesja e lartë civile, Sue Gray, kritikohet një kulturë të organizimeve me thyerje të rregullave dhe zbulohen fotografi të reja të kryeministrit në dy ndeja.

Zyrtarja Gray në raport shkroi se “udhëheqësia e lartë në qendër” të administratës së Johnson-it “duhet të bartë përgjegjësi” për një kulturë që e lejoi mbajtjen e ndejave, raporton televizioni “CNN”.

Ajo shtoi se nuk ka justifikim për disa prej sjelljeve që i ka hetuar, ku përfshihet “konsumimi i tepërt i alkoolit”. Në raport përmendet edhe komunikimi i stafit përmes postës elektronike, ku stafi haptazi ka diskutuar për fshehjen e ndejave nga mediet.

Në raport u hetuan 16 organizime që ishin mbajtur në kohën kur britanikët ishin duke jetuar nën kufizime të ashpra kundër përhapjes së koronavirusit.

Duke folur në Kuvend pak kohë pas publikimit të raportit, kryeministri britanik tha se është i përulur dhe se e ka marrë mësimin, duke shtuar: “Marr përgjegjësi të plotë për gjithçka që ka ndodhur nën pushtetin tim.”

Megjithatë, ai e përsëriti pretendimin e mëhershëm se ndejat kishin dalë nga kontrolli vetëm pas largimit të tij dhe këmbënguli se ai ishte i befasuar dhe i zhgënjyes që ishin mbajtur disa ndeja plot pije.

“Shkurtazi mora pjesë në tubime të tilla për t’i falënderuar për shërbimin e tyre, që besoj se është njëra nga detyrat thelbësore të udhëheqësisë”, shtoi kryeministri Johnson.

Udhëheqësi i opozitës britanike, Keir Starmer, kryetar i Partisë Laburiste, e kritikoi ashpër shefin e qeverisë. “Nuk mund të jesh ligjvënës dhe shkelës i ligjit. Është koha që t’i paketojë valixhet”, tha ai./Nacionale

Tjera nga autori:
1