<b></b> Raste të lisë së majmunit po hetohen në Evropë, SHBA, Kanada e Australi

Raste të lisë së majmunit po hetohen në Evropë, SHBA, Kanada e Australi

20.05.2022 11:02

Raste të lisë së majmunit janë duke u hetuar në disa shtete evropiane, në Shtetet e bashkuara, në Kanada e Australi, sipas autoriteteve shëndetësore e raportimeve të medieve lokale. Rastet më të fundit janë raportuar në Francë, Itali, Suedi dhe Australi.

BBC

Këto raste erdhën pas vërtetimit të rasteve në Shtetet e Bashkuara, Spanjë dhe Portugali të mërkurën si dhe pas hetimit të 13 rasteve të dyshimta në Kanada, shkruan “BBC”, përkthen Gazeta Nacionale.

Lia e majmunit është më e përhapur në zona të skajshme të Afrikës Perëndimore dhe Afrikës Qendrore. Rastet që paraqitej jashtë këtyre rajoneve zakonisht janë të lidhura me udhëtimet drejt tyre.

Lia e majmunit është infektim i rrallë virusal që zakonisht ka simptoma të lehta dhe nga i cili shumica e njerëzve shërohen brenda pak javëve, sipas Shërbimit Shëndetësor Kombëtar të Britanisë së Madhe.

Virusi nuk përhapet lehtë mes njerëzve dhe thuhet se rreziku për publikun e gjerë është shumë i ulët.

Rasti i parë me këtë virus në Britaninë e Madhe u raportua më 7 maj. Pacienti kishte udhëtuar rishtazi për në Nigeri, ku besohet se e ka marrë virusin para se të kthehej në Angli, tha Agjencia për Siguri Shëndetësore e Mbretërisë së Bashkuar.

Tashmë janë konfirmuar nëntë raste të lisë së majmunit në Britani. Burimi i këtyre infeksioneve nuk është vërtetuar ende, por duket se ato janë përhapur në mënyrë lokale, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Australia të premten e raportoi rastin e parë të dyshimtë te një burrë që u sëmur, pasi u kthye nga udhëtimi në Evropë.

Në Evropë, një rast i konfirmuar u raportua në Suedi të enjten. Një rast u raportua në Itali dhe një rast i dyshimtë në Francë. Autoritetet suedeze thanë se nuk janë të sigurta se si individi është prekur nga virusi, por mediet lokale raportojnë se personi i infektuar në Itali është kthyer rishtazi nga Ishujt Kanarine.

Pesë raste të konfirmuara u raportuan të mërkurën në Portugali, ndërsa shtatë të tjera në Spanjë.

Ndonëse asnjë vaksinë nuk është miratuar për li të majmunit në Evropë, raportohet se autoritetet shëndetësore në Spanjë kanë blerë mijëra vaksina kundër lisë për t’u ballafaquar me përhapjen e mundshme, sipas gazetës spanjolle, “El Pais”. Lia e majmunit bën pjesë në familjen e njëjtë të viruseve me linë e rëndomtë.

Në Amerikën Veriore, autoritetet shëndetësore në Massachusetts të ShBA-së konfirmuan se një burrë është infektuar me linë e majmunit. Ai kishte udhëtuar rishtazi në Kanada, ku mediet lokale raportojnë se 13 raste të dyshimta janë duke u hetuar. /Nacionale

Tjera nga autori:
1