<b></b> Rrjetet “nëntokësore” të rusëve që po i ndihmojnë refugjatët ukrainas

Rrjetet “nëntokësore” të rusëve që po i ndihmojnë refugjatët ukrainas

11.05.2022 15:40

Refugjatët ukrainas që pa dëshirojë e gjejnë veten nën pushtetin e Moskës po marrin ndihmë nga një kënd i pazakontë: rrjetet e vullnetarëve rusë që po i ndihmojnë të zhvendosurit nga lufta që të largohen nga Rusia.

Reuters

Kur Bogdan Goncharov-i, bashkëshortja e tij dhe vajza e tyre 7-vjeçare u larguan nga sulmet në vendlindjen Mariupol në mes të marsit, ata përfunduan në territorin e kontrolluar nga rusët, në pjesën jugore të Ukrainës. Me frikë se do të dërgohen mijëra kilometra larg, pasi dëgjuan se refugjatë të tjerë janë dërguar në Siberi, ai tha se kontaktoi me një vullnetar rus, i cili ua organizoi transportin për t’u larguar nga Rusia në kufirin me Estoninë.

“Është mrekulli që dolëm”, tha ukrainasi 26-vjeçar, i cili punonte si ndërtues para luftës dhe tash po fillon një luftë të re në Suedi. “Është falë vullnetarëve”, shtoi ai.

Për ukrainasit e çrrënjosur si Goncharov-i, që nuk duan të mbeten në Rusi ose në territoret e kontrolluara nga Rusia, vullnetarët ofrojnë këshilla për rrugët e udhëtimit si dhe ndihmojnë me të holla, transport dhe strehim gjatë rrugëtimit, sipas nëntë personave që janë të përfshirë në rrjetet e vullnetarëve ose që kanë ofruar ndihmë për ta.

Shumë nga këto rrjete udhëhiqen nga rusët ose nga personat me prejardhje ruse, sipas katër personave të përfshirë në këto grupe. Tre prej tyre thanë se përderisa shumica e vullnetarëve ndodhen jashtë vendit, janë gjithashtu disa rusë që ende ndodhen në atdheun e tyre dhe shumë prej tyre punojnë në mënyrë të fshehtë për ta shmangur vëmendjen e autoriteteve ruse.

Kjo përbën njërën nga mënyrat me të cilat rusët e rëndomtë, që janë të zemëruar nga shkatërrimi i shkaktuar nga lufta, mund të shprehen se si ndihen në kohën, kur ligjet vendëse, praktikisht, e kufizojnë aftësinë e njerëzve në Rusi për ta kritikuar haptazi ushtrinë, thanë disa individë të intervistuar nga agjencia “Reuters”.

Në Rusi nuk ka ligj që saktësisht ua ndalon njerëzve ofrimin e ndihmës për ukrainasit që të ikin nga vendi i tyre. Ka legjislacion të lidhur me organizatat joqeveritare, që ia jep pushtetin qeverisë që t’ua mohojë regjistrimin atyre organizatave që i vlerëson si të angazhuara në veprimtari të dëmshme për interesat e Rusisë. Ligji rus gjithashtu kërkon nga organizatat joqeveritare, që marrin të holla nga vendet e huaja dhe që vlerësohen se kryejnë aktivitete politike, t’u nënshtrohen proceseve shtesë të vëzhgimit.

“Ne të gjithë e kemi këtë ndjenjën e vazhdueshme të fajit”, tha 20-vjeçarja Maria Belkina, ruse që jeton në Gjeorgji dhe që udhëheq një grup për të cilin thotë se u ka ndihmuar 300 ukrainasve për t’u larguar nga Rusia. Ky grup, i quajtur “Vullnetarët Tbilisi”, gjithashtu ofron ndihma humanitare për refugjatët ukrainas në Gjeorgji. “Shumë njerëz nga Rusia po shkruajnë dhe po pyesin: në ç’mënyrë mund të ndihmojmë”, tha ajo.

Agjencia “Reuters” bisedoi me dy grupe të tjera të vullnetarëve, që thanë se kanë ndihmuar një mijë ose më shumë ukrainas që të largohen nga Rusia që nga fillimi i luftës. Agjencia nuk ka mundur që t’i vërtetojë shifrat në mënyrë të pavarur. Tri grupet thanë se shumë prej ukrainasve, që ata i kanë ndihmuar për t’u larguar, vinin nga Mariupoli, qyteti strategjik në juglindje të Ukrainës, ku ka ndodhur rrethimi më shkatërrues i luftës.

Kremlini dhe Ministria e Emergjencave e Rusisë, që merret me refugjatët, nuk u janë përgjigjur kërkesave për koment rreth trajtimit të refugjatëve ukrainas, për rrjetet e vullnetarëve që po i ndihmojnë ata për t’u larguar nga Rusia dhe për atë se si i shohin autoritetet ruse veprimet e këtyre grupeve. Në anën tjetër, as qeveria ukrainase nuk i është përgjigjur kërkesës për koment për punën e vullnetarëve.

Aktivitetet e vullnetarëve bartin rrezik. Rusët që nuk pajtohen haptazi me luftën, janë përballur me gjoba dhe përndjekje, sipas personave të intervistuar dhe një organizate që i përcjell aktivitetet e policisë kundër aktivistëve politikë.

Sipas dy vullnetarëve, një grua ruse, e cila kishte ndihmuar dhjetëra ukrainas që të largohen nga Rusia përmes kufirit me Estoninë, e ndërpreu veprimtarinë e saj, pasi u thirr nga policia për t’u marr në pyetje. Ata thanë se gruaja u mbajt disa orë pa kontakt me ndonjë avokat, duke shtuar se ata nuk dinë se çfarë e ka pyetur policia.

Më 26 prill, presidenti rus, Vladimir Putin, tha më 26 prill se vendi i tij ka ndihmuar deri në 140.000 njerëz që të largohen nga Mariupoli. “Ata mund të shkojnë kudo që dëshirojnë: disa duan që të shkojnë në Rusi, disa në Ukrainë. Nuk po i ndalojmë ata. Po ua ofrojmë tërë ndihmën dhe përkrahjen e mundshme”, tha ai.

Nga më shumë se 13 milionë ukrainasit që janë larguar nga atdheu ose që janë zhvendosur brenda vendit që nga fillimi i luftës, rreth 740.000 kanë hyrë në Rusi deri më 6 maj, sipas Kombeve të Bashkuara.

Ukrainasi Goncharov tha se ai dhe familja e tij vendosën që të largoheshin nga Mariupoli më 15 mars, pasi afër ndërtesës së tyre të banimit ranë municione. Ai tha se furnizimi me rrymë dhe ujë ishte ndërprerë.

Në disa raste, ndihma për refugjatët ukrainas është “ad hoc”. Darya Kiriyenkova, dentiste në Shën Petersburg, e cila nuk është e lidhur me rrjetet e vullnetarëve, tha se mori një javë pushim në prill për të punuar si vullnetare ne një qendër zyrtare për pranimin e refugjatëve ukrainas në Taganrog, qytet në jugperëndim të Rusisë. Ajo tha se është ndier e tmerruar në luftë dhe dëshiroi që t’i ndihmonte njerëzit e prekur.

Përktheu: Nasuf Abdyli - Gazeta Nacionale

 

Tjera nga autori:
1