<b>Rusia</b>  ia lëshon gazin Polonisë, pasi ia ndali për një kohë të shkurtër

Rusia ia lëshon gazin Polonisë, pasi ia ndali për një kohë të shkurtër

27.04.2022 08:34

Furnizimi i Polonisë me gaz nga Rusia rifilloi të mërkurën, pasi të dhënat e operatorëve të gazit në Bashkimin Evropian treguan se kjo gjë u ndërpre për një kohë të shkurtër sot, duke e shtuar frikën se Moska mund t’ua ndalë gazin aleatëve të Ukrainës.

Polonia dhe Bullgaria thanë më herët se Rusia do t’ua ndalë furnizimin me gaz të mërkurën, në kohën e përçarjes së thellë mes Evropës dhe Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë.

Ukraina e ka akuzuar Rusinë për shantazh ndaj Evropës përmes energjisë në përpjekje për t’i përçarë aleatët, kur lufta po hyn në muajin e tretë dhe Rusia ende nuk ka marrë nën kontroll të plotë asnjë qytet të rëndësishëm ukrainas, raporton agjencia “Reuters”.

Polonia, njëra ndër kundërshtaret më të ashpra të Rusisë, është në mesin e vendeve evropiane që po i kërkon sanksionet më të rënda ndaj Moskës për shkak të sulmimit të Ukrainës.

Rrjeti i Bashkimit Evropian për qarkullimin e gazit dhe sa furnizimi i është ndërprerë shkurtimisht Polonisë, por më vonë i është vazhduar dhe se sasia është rritur, pasi fillimisht ra në zero.

Në Bullgari, Vladimir Malinov, drejtor ekzekutiv i operatorit të rrjetit të gazit, “Bulgartransgaz”, i tha agjencisë “Reuters” se, tash për tash, gazi rus është duke qarkulluar për në Bullgari.

Përpos Bullgarisë, edhe Hungaria e Austria thanë se furnizimi i tyre me gaz është në gjendje normale.

Kompania shtetërore polake, PGNIG, tha më herët se furnizimi nga gjiganti rus i energjisë, “Gazprom”, do të ndalej në orën 8 të mëngjesit të së mërkurës, por Polonia tha se nuk ka nevojë që t’i hapë rezervat dhe se hapësirat për mbajtjen e gazit janë 76 për qind të mbushura.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka kërkuar nga shtetet që i cilëson “jomiqësore” ndaj vendit të tij që të paguajnë në rubla për gazin rus. Këtë kërkesë e kanë zbatuar vetëm disa blerës./Nacionale

Tjera nga autori:
1