<b></b> Rusia i vë në shënjestër depot e municionit në perëndim të Ukrainës

Rusia i vë në shënjestër depot e municionit në perëndim të Ukrainës

15.06.2022 15:12

Ushtria ruse tha se të mërkurën përdori raketa me rreze të gjatë për të shkatërruar një depo në rajonin perëndimor ukrainas, Lviv, ku kishte armë të dhuruara nga NATO-ja për Ukrainën.

Këto sulme ndodhën në kohën e ashpërsimit të luftimeve në qytetin Severodonetsk të rajonit Donbas, pikë kyçe e vëmendjes së Rusisë në ofensivën e javëve të fundit.

Separatistët e përkrahur nga Rusia i akuzuan forcat ukrainase për sabotimin e evakuimit të civilëve nga fabrika e rrethuar, “Azot”, ku rreth 500 civilë dhe një numër i panjohur i ushtarëve ukrainas besohet se janë duke u strehuar për t’u mbrojtur nga sulmet me raketa. Nuk ka qenë e mundur që të vërtetohet ky pretendim.

Një ditë më parë, Rusia njoftoi për hapjen e një korridori humanitar për fabrikën “Azot”, por autoritetet ruse thanë se do t’i dërgojnë civilët në zonat e kontrolluara nga rusët, jo nga ukrainasit.

Guvernatori i rajonit Luhansk, Serhiy Haidai, të mërkurën refuzoi që t’i komentonte deklaratat ruse për korridorin humanitar për civilët në fabrikë, por i tha agjencisë “Associated Press” se “luftime të ashpra në Severodonetsk po vazhdojnë edhe sot”. Ai pranoi se situata është duke u përkeqësuar, sepse forcat ruse kanë më shumë ushtarë dhe armë.

“Armiku është duke përparuar për shkak të përparësisë së konsiderueshme në artileri dhe njerëz, por ushtria ukrainase po mbahet në pozicionet e saj në qytet”, shtoi zyrtari ukrainas.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes të Rusisë, Igor Konashenkov, tha se forcat ruse përdorën raketa me saktësi të lartë, “Kalibr” oër ta shkatërruar depon afër qytezës Zolochiv në rajonin Lviv, afër kufirit me Poloninë, anëtare e NATO-s.

Sipas zëdhënësit rus, në këtë depo kishte obusë të tipit “M777”, të dhuruar nga Shtetet e Bashkuara. Ai gjithashtu pretendoi se me sulmet ruse u shkatërruan pajisje aviacioni në një aeroport ushtarak në rajonin jugor, Mykolaiv.

Ndërkohë një delegacion i OKB-së, që po i heton krimet e mundshme të luftës në Ukrainë, i ka vizituar zonat që më parë kontrolloheshin nga forcat ruse dhe ka thënë se ka dëshmi që mund t’i mbështesë pretendimet për krime lufte./Nacionale

Tjera nga autori:
1