Rusia ka njoftuar se ka pushtuar plotësisht territorin e fabrikës së çelikut Azovstal, ku strehoheshin mbrojtësit e fundit ukrainas të Mariupolit. Territori i Azovstal është çliruar plotësisht, njoftoi Ministria ruse e Mbrojtjes.
“Territori i uzinës metalurgjike Azovstal në Mariupol, ku një grup militantësh ukrainas nga formacioni nazist Azov është bllokuar që nga 21 prilli i këtij viti, është çliruar plotësisht”, tha zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, gjeneralmajor Igor Konashenkov.
"Grupi i fundit u dorëzua sot"
Objektet nëntokësore të fabrikës janë nën kontrollin e trupave ruse, tha ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu.
"Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka njoftuar se që nga 16 maji, 2439 neo-nazistë nga Azov dhe ushtarë ukrainas të bllokuar në fabrikë kanë lënë armët dhe janë dorëzuar. Grupi i fundit prej 531 militantësh u dorëzua sot", njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve ruse RIA Novosti.
Mes tyre është edhe komandanti i regjimentit ukrainas të Azov Denis Prokopenko, shkruan ministria ruse në Telegram.
"I ashtuquajturi "komandant" i nazistëve Azov, për shkak të urrejtjes së banorëve të Mariupolit dhe dëshirës së qytetarëve për ta dënuar atë për krime të shumta, u nxor nga fabrika me një makinë të blinduar të veçantë", shkruan ministria.
Komandanti i Azovit: Na është urdhëruar të ndalojmë mbrojtjen e Mariupolit
Ju kujtojmë, sot Prokopenko iu drejtua publikut dhe tha se ata morën një urdhër në Azovsal për të ndaluar mbrojtjen e Mariupolit dhe për të shpëtuar jetën e luftëtarëve.
Sipas tij, të gjithë civilët nga Azovstal janë evakuuar, kurse ushtarëve të plagosur rëndë iu është ofruar ndihma mjekësore. Ata duhet të dërgohen në një zonë nën kontrollin e Ukrainës.
Largimi i trupave të mbrojtësve të vrarë të Mariupol është duke u zhvilluar, shtoi Prokopenko. /Nacionale/