<b></b> SHBA dhe BE kritikojnë pengimin e kroatëve të Bosnjës për financimin e zgjedhjeve

SHBA dhe BE kritikojnë pengimin e kroatëve të Bosnjës për financimin e zgjedhjeve

29.05.2022 11:03

Ambasada e SHBA dhe delegacioni i BE-së në Sarajevë kanë kritikuar partinë më të madhe kroate në Bosnje-Hercegovinë, HDZ BeH, për bllokimin e miratimit të financimit për zgjedhjet parlamentare kombëtare që do të mbahen më 2 tetor.

"Bllokimi i HDZ BeH për financimin e zgjedhjeve shpërfill demokracinë dhe parimet e tyre të shprehura. Përfundoni urgjentisht bllokadën. Zgjedhjet do të financohen dhe do të mbahen. Nuk ka dyshim për këtë," ka shkruar delegacioni i BE në një postim në Twitter.

Këshilli i Ministrave i Bosnjës, qeveria qendrore, nuk mundi të miratonte një vendim të posaçëm për ndarjen e fondeve zgjedhore javën e kaluar për shkak të pengimit nga ministrat kroatë, të cilët janë anëtarë të HDZ.

Një përpjekje e re për të miratuar financimin dështoi të enjten (26 maj) dhe mediat raportuan se ministri i financave, i cili është anëtar i HDZ-së, kishte refuzuar ta fuste atë në axhendë.

Ambasada e SHBA-së e quajti sjelljen e HDZ-së "zhgënjyese" dhe "hipokrite".

“Ky është një sulm i qartë ndaj të drejtave demokratike të popullit të këtij vendi”, shkroi ambasada në Twitter.

Kroatët e Bosnjës janë ankuar prej kohësh se ligji aktual zgjedhor është kundër tyre, si grupi më i vogël nga tre grupet etnike, së bashku me boshnjakët dhe serbët. Përpjekjet për të rënë dakord për një ndryshim të ligjit kanë dështuar dhe zyrtarët perëndimorë kanë thënë se zgjedhjet duhet të mbahen sipas ligjit aktual.

Ministri i Financave, Vjekoslav Bevanda, mohoi se e kishte bllokuar vendimin.

Ai tha se raportet e mediave ishin "të pasakta dhe keqdashëse" pasi financimi i zgjedhjeve nuk ishte në rendin e ditës të enjten.

“Koha e raportimeve të tilla për mua dhe punën time nuk është rastësi. Raportet denigrojnë punën e Këshillit dhe krijojnë një atmosferë që bllokon punën normale të institucionit”, tha ai në një deklaratë të përcjellë nga gazeta Oslobodjenje.

 

Tjera nga autori:
1