<b></b> Shefi i inteligjencës ushtarake ukrainase thotë se lufta përfundon në fund të vitit

Shefi i inteligjencës ushtarake ukrainase thotë se lufta përfundon në fund të vitit

14.05.2022 08:47

Shefi i inteligjencës ushtarake ukrainase, Kyrylo Budanov, ka thënë për televizionin “Sky News” se lufta kundër Rusisë do të arrijë në një pikë kthese në mesin e gushtit dhe do të përfundojë në fund të këtij viti.

“Pika e kthesës do të jetë në pjesën e dytë të gushtit. Shumica e veprimeve aktive të luftimit do të kenë përfunduar në fund të këtij viti. Si rezultat, ne do ta përtërijmë fuqinë ukrainase në të gjitha territoret tona që i kemi humbur, përfshirë Donbasin dhe Krimenë”, tha ai.

Sipas zyrtarit të lartë ukrainas, Rusia është duke pësuar humbje të mëdha, ndonëse nuk pranoi të fliste për pasojat e Ukrainës dhe tha se nuk është i befasuar nga shkalla e humbjeve të Rusisë, duke marrë parasysh se, sipas tij, fuqia ruse është mit.

“Evropa e sheh Rusinë si kërcënim të madh. Ata frikësohen nga agresioni i saj. Ne kemi luftuar kundër Rusisë për tetë vjet dhe mund të themi se kjo fuqia shumë e reklamuar ruse është mit. Nuk është kaq e fuqishme. Është një hordhi njerëzish me armë”, shtoi ushtaraku i inteligjencës ukrainase.

Ai shtoi se forcat ruse, që po e sulmojnë qytetin verilindor, Kharkiv, janë dëbuar pothuajse te kufiri rus dhe se dështimi i tyre për ta kaluar lumin “Siverskyi Donets” ditë më parë ka rezultuar në humbje të mëdha.

“Mund të konfirmoj se ata kanë pësuar humbje të rënda në fuqinë njerëzore dhe në armatim dhe mund të them se, kur ndodhën sulmet me artileri, shumë nga ekuipazhi i braktisën pajisjet e tyre”, tha zyrtari i lartë i inteligjencës.

Sipas tij, presidenti rus, Vladimir Putin, është i sëmurë dhe në gjendje shumë të keqe psikologjike dhe fizike./Nacionale

Tjera nga autori:
1