Shefja e qendrës kombëtare të inteligjencës së Spanjës (CNI), Paz Esteban, u shkarkua të martën pasi pranoi se agjencia kishte spiunuar liderin rajonal të Katalonjës dhe dhjetëra aktivistë dhe politikanë të tjerë separatistë duke hakuar telefonat e tyre celularë.
Burime qeveritare kanë thënë se vendimi u mor pas një takimi të kabinetit për të trajtuar skandalin e përgjimeve që bëri bujë në politikën spanjolle, shkruan Euractiv.
Në një hetim paralel, qendra kriptologjike e Spanjës, një departament i CNI-së, po heton provat se pajisjet e telefonisë celulare që i përkasin kryeministrit Pedro Sánchez dhe ministres së mbrojtjes Margarita Robles ishin hakuar gjithashtu duke përdorur teknologjinë e përgjimit ‘Pegasus’, megjithëse në këtë në rast thuhet se infiltrimi dyshohet se është kryer nga një subjekt i huaj.
Esteban konfirmoi para një komisioni parlamentar më 5 maj se CNI kishte hakuar telefonin celular të presidentit rajonal katalanas dhe liderit të partisë pro-pavarësisë ERC, Pere Aragonès, si dhe të rreth 20 separatistëve të tjerë të shquar, pasi kishte kërkuar miratimin gjyqësor për ta bërë këtë.
Skandali i përgjimeve u zbulua për herë të parë në një artikull të New Yorker duke cituar një hulumtim nga qendra kërkimore Citizen Lab e Universitetit të Torontos.
Mjetet e përgjimit ‘Pegasus’, të prodhuara nga firma izraelite NSO Group, tregtohen si mjete për qeveritë për t'u përdorur kundër kërcënimeve terroriste dhe krimit të organizuar.
Skandali i përgjimeve ka tensionuar marrëdhëniet tashmë të pasigurta midis qeverisë së koalicionit të udhëhequr nga Partia Socialiste e Sánchez dhe partive më të vogla separatiste ku ai mbështetet për të miratuar ligje në parlament.