Dërgimi i dronëve amerikanë në Ukrainë konsiderohet i rrezikshëm - NACIONALE

Dërgimi i dronëve amerikanë në Ukrainë konsiderohet i rrezikshëm

1 vit më parë

nga NACIONALE

Plani i administratës Biden për të transferuar katër dronë të mëdhenj, të armatosur në Ukrainë është ndalur për shkak të shqetësimeve se pajisjet e tyre të sofistikuara të monitorimit mund të rrëshqasin në duar të armiqve, shkruan Reuters.

Administrata e Sigurisë së Teknologjisë së Mbrojtjes (DTSA) e Pentagonit, e cila është përgjegjëse për mbajtjen e teknologjisë me vlerë të lartë larg duarve të armikut, shprehu kundërshtimin ndaj dërgimit të këtyre dronëve gjatë një vlerësimi më të plotë. Tre persona thanë se Shtëpia e Bardhë kishte miratuar më parë konceptin, i cili ka qarkulluar që nga marsi.

Kundërshtimi ndaj shitjes së dronëve erdhi nga frika se radarët dhe pajisjet e vëzhgimit të dronëve mund të përbënin një rrezik sigurie për SHBA-në nëse bien në duart e Rusisë.

Sipas burimeve, ky faktor është lënë jashtë në analizën fillestare, por është paraqitur në bisedimet në Pentagon në fund të javës së kaluar.

"Rishikimet e sigurisë së teknologjisë janë një praktikë standarde për transferimin e artikujve të mbrojtjes së SHBA-së te të gjithë partnerët ndërkombëtarë. Të gjitha rastet shqyrtohen individualisht sipas meritave të tyre. Përmes procesit të vendosur, shqetësimet e sigurisë kombëtare ngrihen në autoritetin e duhur miratues," tha zëdhënësi i Pentagonit, Sue Gough.

Sipas njërit prej personave, një zyrtar amerikan, i cili foli në kushte anonimiteti, vendimi për vazhdimin e marrëveshjes tani po vlerësohet më lart në zinxhirin komandues në Pentagon, edhe pse afati i çdo vendimi është i pasigurt.

Një opsion për të lëvizur shitjen do të ishte zëvendësimi i pajisjeve ekzistuese të radarit dhe sensorëve me diçka më pak të sofistikuar, por kjo mund të zgjasë muaj, thotë një nga burimet e Reuters.

Nëse rasti për shitjen e dronëve lejohet të ecë përpara, Kongresi do të ketë mundësinë ta bllokojë atë, megjithëse kjo konsiderohet e pamundur.

Grey Eagles kushtojnë 10 milionë dollarë secila, sipas dokumenteve buxhetore të ushtrisë.

Lajme të ngjashme