<b></b> Shkon në 950 numri i të vdekurve nga tërmeti në Afganistan, pritet rritje e shifrës

Shkon në 950 numri i të vdekurve nga tërmeti në Afganistan, pritet rritje e shifrës

22.06.2022 11:47

Zyrtarët për menaxhimin e fatkeqësive në Afganistan kanë thënë se numri i viktimave nga tërmeti prej 6.1 shkallësh ka shkuar në 950, ndërsa mbi 600 të tjerë janë lënduar.

Numri i përgjithshëm i viktimave pritet të rritet përderisa informatat po vijnë nga fshatrat e largëta malore.

Në fotografitë e publikuara në mediet afgane shihen shtëpi të rrënuara dhe trupa të mbuluar me batanije në tokë.

Autoritetet kanë dërguar disa helikopterë në zonën e prekur për t’i marrë personat e lënduar dhe për të dërguar ushqim e pajisje mjekësore, tha Salahuddin Ayubi, zyrtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Numri i të vdekurve ka gjasë që të rritet, sepse disa nga fshatrat janë në zona të skajshme në male dhe do të marrë kohë që të mblidhen hollësitë”, tha ai.

Tërmeti i së mërkurës është më vdekjeprurësi në Afganistan që nga viti 2002. Dridhja ndodhi rreth 44 kilometra nga qyteti Khost, afër kufirit me Pakistanin, sipas Vëzhguesit Gjeologjik të ShBA-së.

Ayubi tha se më së shumti viktima janë regjistruar në provincën Paktika, ku raportohet për 255 të vdekur dhe mbi 200 të lënduar. Në provincën Khost janë shënuar 25 viktima dhe 90 persona janë dërguar në spital./Nacionale

Tjera nga autori:
1