ShBA po dërgon dy zyrtarë të lartë në Ishujt Solomon mbi shqetësimet se Kina mund të krijojë një prani ushtarake në shtetin ishullor të Paqësorit Jugor.
Shtëpia e Bardhë tha të hënën se më vonë këtë javë, Kurt Campbell, koordinatori Indo-Paqësor i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Daniel Kritenbrink, ndihmës sekretari i shtetit për çështjet e Azisë Lindore dhe Paqësorit, do të kryesojnë një delegacion zyrtarësh të qeverisë amerikane në Ishujt Solomon dhe gjithashtu do të vizitojnë Fixhin dhe Papua Guinenë e Re.
Në Pekin, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Wang Wenbin tha të martën se ministri i Jashtëm Wang Yi dhe homologu i tij në Ishujt Solomon, Jeremiah Manele, kanë nënshkruar zyrtarisht një marrëveshje sigurie, pa dhënë detaje për ditën se kur është nënshkruar.
Një draft i paktit, i cili u zbulua në internet, thoshte se luftanijet kineze mund të ndalonin në Ishujt Solomon dhe Kina mund të dërgonte policinë dhe forcat e armatosura atje "për të ndihmuar në ruajtjen e rendit shoqëror".
Wang u tha gazetarëve në një konferencë ditore se marrëveshja mbulon "ruajtjen e rendit shoqëror", së bashku me mbrojtjen e jetës dhe pronës, ofrimin e ndihmës humanitare dhe reagimin ndaj fatkeqësive natyrore.
Ishujt Solomon kanë kërkuar të minimizojnë rëndësinë e marrëveshjes dhe thonë se ajo nuk do të çojë në krijimin e një baze ushtarake nga Kina atje, por shumë vende fqinje dhe vende perëndimore mbeten të shqetësuar për këtë marrëveshje.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të ShBA Ned Price tha se marrëveshja mund të destabilizojë Ishujt Solomon dhe mund të vendosë një precedent shqetësues për rajonin më të gjerë të Paqësorit.