<b></b> Si mund t’i përgjigjet Putini vendimit të Suedisë e Finlandës për anëtarësim në NATO

Si mund t’i përgjigjet Putini vendimit të Suedisë e Finlandës për anëtarësim në NATO

15.05.2022 22:17

Paralajmërimet e Putinit drejtuar Finlandës dhe Suedisë për të mos u anëtarësuar në NATO kanë kaluar pa u vënë re. Pushtimi i tij në Ukrainë ka shkaktuar diçka që ai nuk e dëshiron: zgjerimin e mëtejshëm të NATO-s deri në kufijtë e Rusisë. Por, si mund të përgjigjet ai?

Lëvizjet ushtarake

Tani për tani, BBC shkruan se, presidenti Putin i ka duart plot në Ukrainë, kështu që nuk ka gjasa të bëjë ndonjë lëvizje të papritur në drejtim të Finlandës ose Suedisë. Trupat ruse afër kufirit (1300 km) me Finlandën janë ridislokuar në jug.

Megjithatë, me kalimin e kohës, ai ka të ngjarë të lëvizë trupat dhe raketat më afër kufirit të Finlandës dhe të vendosë patrulla agresive ajrore dhe detare.

Lufta hibride

Sulmet kibernetike dhe spiunazhi kibernetik kanë filluar prej disa kohësh, dhe kanë për qëllim shumicën e shteteve evropiane.

Tani mund të pritet që këto të drejtohen posaçërisht ndaj Finlandës dhe Suedisë nëse bashkohen me NATO-n, të shoqëruara nga mohimet e zakonshme zyrtare të Rusisë.

Përmbysje

Putinit i pëlqen të luajë një lojë të gjatë dhe mund të vendosë që neutraliteti historik i këtyre dy vendeve nordike do të thotë që çdo vendim për t'u bashkuar me NATO-n mund të anulohet.

Me kalimin e kohës, ai mund të zgjedhë të përpiqet të formësojë opinionin publik kundër NATO-s me ndihmën e robotëve në internet dhe llogarive të rreme.

Suedia dhe Finlanda kanë konfirmuar se do të aplikojnë për anëtarësim në NATO në një ndryshim historik që vjen si rezultat i pushtimit rus të Ukrainës.

Ndërkohë, mbështetja publike për anëtarësimin zyrtar në NATO është rritur në mënyrë të qëndrueshme që kur Rusia pushtoi Ukrainën.

Edhe ministrat e Jashtëm të vendeve të NATO-s, të cilët po takohen në Berlin, janë zotuar të ofrojnë garanci sigurie si për Finlandën ashtu edhe për Suedinë, në kohën kur aplikimet e tyre për t'u bashkuar me NATO-n po ratifikohen nga të gjitha vendet anëtare - një proces që mund të zgjasë deri në një vit.

NATO, një aleancë ushtarake perëndimore, u themelua në vitin 1949 për mbrojtje ndaj kërcënimit nga Bashkimi Sovjetik.

Presidenti Putin ka përmendur synimin e Ukrainës për t'u bashkuar me aleancën si një nga arsyet për pushtimin e saj.

Tjera nga autori:
1