<b>Si po vdesin,</b> burgosen e zhduken aleatët e ngushtë të Putinit

Si po vdesin, burgosen e zhduken aleatët e ngushtë të Putinit

19.04.2022 23:50

Shumë ish-aleatë të ngushtë të Vladimir Putinit ose kanë vdekur, ose janë burgosur ose janë zhdukur nga sytë e publikut, teksa presidenti gjithnjë e më paranojak i Rusisë kërkon të luftojë një grusht shteti të mundshëm.

Këto ngjarje nisën pasi legjenda e shahut të Rusisë, Garry Kasparov, ka paralajmëruar se Putini përballet me përmbysje nga pushteti për shkak të pushtimit katastrofik të Ukrainës, i cili ka lënë pothuajse 21,000 ushtarë rusë të vrarë.

The Sun shkruan se në fillim të këtij muaji, Putini largoi të paktën 150 komandantë të lartë nga agjencia ruse e spiunazhit FSB, në një spastrim "të stilit stalinist" në përgjigje të luftës së dështuar.

Pothuajse të gjithë të dëbuarit ishin pjesë e të ashtuquajturit Shërbimi i Pestë, një divizion i krijuar në vitin 1998 kur Putin ishte ende drejtor i FSB-së, i projektuar për të kryer operacione në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik si Ukraina.

Raportet thonë se Putini i tërbuar ka fajësuar zyrtarët e tij të nivelit të lartë për dështimet në Ukrainë.

"Kjo ndodhi vetëm sepse ai nuk donte të dëgjonte të vërtetën," tha eksperti rus Robert English për Business Insider.

Kur forcat e tij pushtuan më 24 shkurt, Putin priste një fitore të shpejtë në të cilën ushtria e tij do të përshëndetej si çlirimtare. Por në vend të kësaj, me luftën që duket se do të zvarritet edhe për disa muaj të tjerë, Putin tani duket se është kthyer kundër ish-aleatëve të tij, duke parë armiq kudo që ai shikon.

SERGEI SHOIGU

Mister rreth shefit të mbrojtjes së Vladimir Putinit, pasi ai pësoi një atak "masiv" në zemër "jo për shkaqe natyrore". Sergei Shoigu dyshohet se është "përjashtuar nga loja", pas një takimi me Vladimir Putin, muajin e kaluar.

Leonid Nevzlin, 62 vjeç, një biznesmen kryesor rus dhe armik i betuar i Vladimir Putin i bëri këto pretendime në një postim në Facebook.

Ai pretendoi se ministri rus i mbrojtjes Shoigu - i cili ka qenë thelbësor në pushtimin rus të Ukrainës - është në “kujdes intensiv dhe nuk dihet nëse do të mbijetojë”.

VLADISLAV AVAYEV

Trupat e pajetë të bankierit kryesor rus dhe familjes së tij u gjetën në apartamentin e tij luksoz në Moskë, jo shumë kohë pasi banka u godit me sanksione perëndimore.

Vladislav Avayev, 51 vjeç, u gjet i vdekur së bashku me gruan e tij Yelena, 47 vjeç dhe vajzën e tij 13-vjeçare Maria. Një burim nga forcat e rendit tha se në dorën e Avajevit u gjet një armë dhe se ata besojnë se ishte një rast vrasje-vetëvrasjeje.

Avayev thuhet se kishte punuar për Gazprombank për shumë vite përpara se të vendoste të largohej papritur nga detyra për arsye të panjohura.

Analistja e Kremlinit Olga Lautman tha se Avajev më parë ka punuar edhe në administratën presidenciale të Putinit, si dhe në parlament, ose Duma.

VALERI GERASIMOV

Gjenerali më i lartë i Putinit, Valery Gerasimov, duket se është lënë mënjanë ndërsa lufta po zvarritet.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Rusisë dhe zëvendësministri i parë i mbrojtjes ka merita për krijimin e Doktrinës Gerasimov në 2013.

Kjo përcaktoi konceptin e "luftës jolineare", duke përdorur mjete ushtarake dhe joushtarake për të vendosur dominimin rus mbi fqinjët e saj, falë luftës së informacionit, presionit ekonomik dhe konvertimit të popullsisë vendase. Gerasimov organizoi gjithashtu operacionin ushtarak të Rusisë në Siri, i cili filloi në shtator 2015.

Megjithatë, strategjia e tij duket se këtë herë ka dështuar, pasi njejtë si Shoigu edhe Gerasimov u zhduk nga syri i publikut prej dy javësh, pas disa raporteve se trupat ruse ishin të frustruar që të dy këta nuk ishin në vijën e frontit.

SERGEI BESEDA

Në një rënie dramatike, gjenerali i lartë i FSB-së Sergei Beseda është burgosur në burgun famëkeq Lefortovo të sigurisë së lartë të Moskës.

Beseda, 68 vjeç, ishte më parë në arrest shtëpiak, por u vendos në paraburgim në fillim të këtij muaji i akuzuar për dështime të inteligjencës.

Moscow Times raportoi se Beseda kishte rënë në konflikt me Putinin për shkak të dështimit të tij për të krijuar dhe financuar një lëvizje opozitare pro-Kremlinit në Ukrainë.

ROMAN GAVRILOV

Gjenerali Roman Gavrilov ishte zëvendës-shefi i njësisë ruse Rosgvardia, e cila udhëhoqi sulmin e parë në territorin ukrainas.

Sipas uebsajtit investigativ Bellingcat, ai u shkarkua dhe u arrestua muajin e kaluar për "rrjedhjet e informacionit ushtarak që çoi në humbje te jetëve.”

Arrestimi i tij u raportua nga disidenti rus në mërgim, Vladimir Osechkin, i cili tha se Gavrilov po merrej në pyetje në Moskë për akuzat për spiunazh në lidhje me lëvizjen e trupave ruse që çuan në më shumë se 100 vdekje.

VLADISLAV SURKOV

Në fillim të këtij muaji, Putini urdhëroi arrestimin e ish-ndihmësit të tij të ngushtë dhe burrit të quajtur babai i "Putinizmit", Vladislav Surkov.

Surkov, 57 vjeç, i cili mbante një fotografi të reperit amerikan Tupac pranë një fotografie të Putinit në tryezën e tij, po mbahet në arrest shtëpiak.

Ai u arrestua si pjesë e një hetimi të gjerë kriminal që përfshin përvetësimin e pretenduar të pothuajse 4 miliardë funtesh nga shërbimet e sigurisë për të krijuar një rrjet të fshehtë të inteligjencës në Ukrainë.

Surkov, ish-zëvendëskryeministri i Rusisë, vlerësohet se ka ndihmuar në mbajtjen e Putinit në pushtet duke drejtuar të gjithë sistemin politik të vendit.

Tjera nga autori:
1