<b>Slloveni:</b> I sapoardhuri në politikë rrëzon kryeministrin Jansa

Slloveni: I sapoardhuri në politikë rrëzon kryeministrin Jansa

24.04.2022 23:43

Sipas rezultateve të para, kryeministri slloven Janez Jansa duket se ka humbur mundësinë e tij për rizgjedhje ndaj një partie opozitare jeshile-liberale të udhëhequr nga Robert Golob.

Lëvizja për Liri, është një parti e vogël liberale e kryesuar nga i sapoardhuri politik Robert Golob, ndërsa me më shumë se gjysmën e votave të numëruara, duket se ajo kishte pothuajse 33% të votave krahasuar me 25% që kishte për Partinë Demokratike Sllovene të Jansës.

Sipas DW, vëzhguesit e zgjedhjeve kanë thënë se asnjë parti nuk ka gjasa të marrë vota të mjaftueshme për të qeverisur, prandaj me shumë mundësi do të duhet krijimi i një koalicioni qeverisës.

Përpara zgjedhjeve të së dielës, sondazhet treguan se Jansa, i cili është sulmuar nga Brukseli për lëvizjet e perceptuara si minim të sundimit të ligjit, ka të ngjarë të përballet me një luftë të ashpër për të qëndruar në pushtet.

Në vitin 2004, Sllovenia u bë shteti i parë ish-jugosllav që u bashkua me Bashkimin Evropian.

Kush ishin pretendentët kryesorë?

Edhe pse një sërë partish morën pjesë në votimin e së dielës, rezultati që në fillim tregonte një garë të ngushtë midis partive të Jansa-s dhe Golob-it.

Jansa, 63 vjeç, është një aleat i kryeministrit nacionalist hungarez Viktor Orban dhe një fans i ish-presidentit amerikan Donald Trump. Ai ishte në mandatin e tij të tretë si kryeministër.

Ai është përballur me protesta antiqeveritare që nga marrja e detyrës, me dhjetëra mijëra që e akuzojnë për autoritarizëm. Ai ka rënë gjithashtu në konflikt me Brukselin lidhur me lëvizjet e tij për të pezulluar fondet për agjencinë kombëtare të lajmeve për më shumë se një vit dhe vonesat në emërimin e prokurorëve në organin e ri të bllokut kundër korrupsionit.

Megjithatë, ai kohët e fundit është distancuar nga Orban, i cili është gjithashtu në mosmarrëveshje me BE-në për shqetësimet e sundimit të ligjit, duke miratuar një qëndrim të ashpër ndaj Rusisë lidhur me pushtimin e saj në Ukrainë.

Ndërsa, Golob, është një 55 vjeçar, i sapoardhur në politikë, i cili më parë ishte shef i një kompanie të madhe energjie.

Ai dhe partia e tij kanë mbështetjen e disa partive opozitare të qendrës së majtë, duke i dhënë atij një shans më të madh se Jansa për të formuar një koalicion qeverisës.

Partia Lëvizja për Liri, ka mbrojtur një tranzicion të energjisë së gjelbër dhe një zhvillim të qëndrueshëm, në kundërshtim me premtimet e Jansës për stabilitet dhe sloganet nacionaliste si "Ne ndërtojmë Slloveninë".

Tjera nga autori:
1