<b></b> Spanja alarmon për një shpërthim të mundshëm të lisë së majmunëve

Spanja alarmon për një shpërthim të mundshëm të lisë së majmunëve

18.05.2022 23:32

Autoritetet shëndetësore në Spanjë kanë lëshuar një alarm për një shpërthim të mundshëm të lisë së majmunëve pasi 23 persona kanë shfaqur simptoma të ngjashme me infeksionin viral, i cili tashmë është zbuluar edhe në Mbretërinë e Bashkuar e në Portugali.

Sipas The Guardian, ministria e Shëndetësisë ka paralajmëruar se rastet e dyshuara - të gjitha në rajonin e Madridit - nuk ishin konfirmuar ende, por alarmi mbarëkombëtar ishte lëshuar "për të garantuar një përgjigje të shpejtë, të koordinuar dhe në kohë".

Departamenti rajonal i shëndetësisë i Madridit tha se rastet e dyshuara po analizoheshin nga Qendra Kombëtare e Mikrobiologjisë për të marrë një diagnozë përfundimtare.

“Në përgjithësi, lija e majmunëve përhapet me anë të transmetimit të frymëmarrjes, por karakteristikat e 23 rasteve të dyshuara tregojnë për transmetimin përmes mukusit gjatë marrëdhënieve seksuale”, thuhet në një deklaratë.

Fernando Simón, një epidemiolog që drejton qendrën e urgjencave shëndetësore të Spanjës, tha se ndërsa nuk kishte gjasa që lija e majmunëve të përhapej ndjeshëm, "kjo mundësi nuk mund të përjashtohej".

Edhe autoritetet portugeze kanë konfirmuar pesë raste dhe janë duke hetuar edhe 15 të tjera të dyshuara. Në një deklaratë të mërkurën, ministria e Shëndetësisë e Portugalisë tha se rastet që kishte zbuluar ishin të gjitha në rajonin e Lisbonës dhe Luginës së Tagus.

"Mbretëria e Bashkuar ka raportuar raste të ngjashme të lezioneve ulceroze, me infeksion të konfirmuar nga virusi i lisë së majmunit," tha ai. “Ne po monitorojmë situatën në nivel kombëtar dhe në bashkëpunim me institucionet evropiane."

I pari nga shtatë rastet e regjistruara në Mbretërinë e Bashkuar u zbulua te një person që kishte qenë së fundmi në Nigeri, ku besohet se ishte infektuar.

Sipas Agjencisë së Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar, të katër rastet e fundit janë burra që identifikoheshin si homoseksualë ose biseksualë.

Prandaj, një kërkesë e veçantë nga organizmi shëndetësor është lëshuar ndaj këtyre grupeve duke u thënë “të jenë vigjilentë” ndaj simptomave të mundshme, të cilat përfshijnë skuqje ose lezione në pjesë të trupit të tyre, veçanërisht në organet gjenitale, dhe të kontaktojnë shërbimin shëndetësor seksual nëse kanë shqetësime.

Simptomat e hershme të lisë së majmunit përfshijnë ethe, dhimbje koke, dhimbje muskujsh, ënjtje të nyjeve limfatike dhe të dridhura. Një skuqje që mund të duket si lija e dhenve ose sifilizi mund të zhvillohet dhe të përhapet nga fytyra në pjesë të tjera të trupit, duke përfshirë organet gjenitale.

Tjera nga autori:
1