<b></b> Stoltenberg: NATO-ja ka nevojë për më shumë armë e gatishmëri

Stoltenberg: NATO-ja ka nevojë për më shumë armë e gatishmëri

15.06.2022 10:46

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha të martën se aleanca duhet të ndërtojë gatishmëri edhe më të lartë dhe duhet t’i fuqizojë kapacitetet e armëve në kufirin lindor pas sulmeve ruse në Ukrainë.

Ai e bëri këtë koment pas bisedimeve joformale në Holandë me kryeministrin holandez, Mark Rutte, dhe udhëheqësit e Danimarkës, Polonisë, Letonisë, Rumanisë, Portugalisë dhe Belgjikës para një samiti më të gjerë të NATO-s në Madrid në fund të këtij muaji.

“Në Madrid, ne do të pajtohemi për një fuqizim të rëndësishëm të pozicionit tonë. Sonte diskutuam për nevojën për më shumë prani të fuqishme e të gatshme për luftë dhe për gatishmëri edhe më të lartë dhe pajisje e furnizime më të parapozicionuara”, tha sekretari Stoltenberg.

Duke iu përgjigjur thirrjes së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, për armë me rreze më të gjatë, zyrtari i lartë i NATO-s tha se ai është pajtuar që Kievi duhet të furnizohet me më shumë armë të rënda, por nuk dha hollësi.

“Ukraina duhet të ketë më shumë armë të rënda dhe aleatët e partnerët e NATO-s kanë ofruar armë të rënda dhe ata gjithashtu po i shtojnë ato”, tha Stoltenberg-u.

“Në aspektin e armatimit, ne qëndrojmë të bashkuar këtu që është jetike që Rusia ta humbë luftën”, tha kryeministri holandez, Mark Rutte.

Kur u pyet për aplikimet e Suedisë dhe Finlandës për t’u anëtarësuar në NATO, sekretari tha se është duke kërkuar një rrugë të përbashkët për të ecur përpara që të zgjidhet kundërshtimi nga Turqia, që ka shprehur zemërim për atë që e cilëson përkrahje të Suedisë për militantët kurdë.

Tjera nga autori:
1