<b></b> Studimi thotë se ata që pinë kafe përditë kanë më pak gjasa të vdesin më herët se ata që nuk pinë

Studimi thotë se ata që pinë kafe përditë kanë më pak gjasa të vdesin më herët se ata që nuk pinë

31.05.2022 15:10

Shprehia juaj ditore për të pirë kafe mund të ju ndihmojë që të jetoni jetë më të gjatë dhe më të shëndetshme, edhe nëse i hidhni sheqer, sipas një studimi të publikuar në revistën “Annals of International Medicine”.

Hulumtuesit e Universitetit Mjekësor Jugor në Guangzhou të Kinës i shikuan të dhënat për shprehinë e pirjes së kafes dhe shëndetit të më shumë se 171.000 banorëve të Britanisë së Madhe, të cilët nuk kishin kancer ose sëmundje të zemrës në fillim të studimit – periudhë prej shtatë vjetësh.

Më herët, dëshmitë kanë sugjeruar se konsumuesit e kafesë jetojnë më gjatë, por synim i studiuesve në Kinë ishte që të testohet nëse kjo është e vërtetë edhe kur njerëzit i hedhin kafesë sheqer.

Raportohet se ata zbuluan që njerëzit që pinë rregullisht kafe pa sheqer, kishin 16 deri 21 për qind më pak gjasa që të vdisnin gjatë studimit sesa ata që nuk pinë kafe.

Ndërkohë pjesëmarrësit e studimit që pinë një deri në katër filxhanë kafe me pak sheqer në ditë, kishin 29 deri 31 më pak për qind gjasa që të vdisnin gjatë studimit, sipas të dhënave.

Hulumtuesit thanë se rezultatet ishin më pak të qarta për pjesëmarrësit që përdorën ëmbëlsues artificialë. Rezultate të përziera për këtë grup ka pasur edhe në të kaluarën. Disa ekspertë dhe ca dëshmi lënë të kuptohet se ëmbëlsuesit mund të jenë zëvendësues të sigurt dhe të shëndetshëm të sheqerit, sipas klinikës “Mayo Clinic”, ndërtesa të tjerë e ngrenë shqetësimin për lidhje të mundshme të ëmbëlsuesve me kancerin ose me problemet e shëndetit metabolik.

 Sipas studimeve të mëhershme, konsumuesit e kafesë kanë gjasë që të jetojnë më gjatë, sepse janë më pak të rrezikuar nga sëmundjet si kanceri, diabeti dhe sëmundjet e zemrës.

Kafeina mund ta rrisë përqendrimin mendor dhe gjithashtu të sjellë dobi për shëndetin e trurit, sidomos me rritjen e moshës dhe duket se kjo pije është e lidhur me zvogëlimin e rrezikut nga sëmundja e Parkinsonit./Nacionale

Tjera nga autori:
1