<b></b> Suedia dhe Finlanda nisin bisedimet me Turqinë për çështjen e anëtarësimit në NATO

Suedia dhe Finlanda nisin bisedimet me Turqinë për çështjen e anëtarësimit në NATO

25.05.2022 16:32

Në një përpjekje për të kapërcyer kundërshtimet e forta të Turqisë ndaj aplikimit të Suedisë e Finlandës për bashkim me NATO-n, zyrtarë të lartë nga të dyja vendet kanë udhëtuar për në Turqi për bisedime me homologët e tyre turq.

Kujtojmë se Suedia dhe Finlanda paraqitën aplikacionet e tyre me shkrim për t'u bashkuar me NATO-n javën e kaluar, ndërsa ky vendim përfaqëson një nga pasojat më të mëdha gjeopolitike të luftës së Rusisë në Ukrainë dhe mund ta rishkruajë hartën e sigurisë së Evropës.

Turqia më parë ka thënë se e kundërshton anëtarësimin e vendeve në aleancën ushtarake perëndimore, duke u ankuar se të dy vendet nordike mbështesin Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit dhe entitete të tjera që Turqia i sheh si kërcënime sigurie.

PKK, e cila renditet si një organizatë terroriste nga disa prej aleatëve të Turqisë, për dekada ka zhvilluar një kryengritje kundër Turqisë, një konflikt ky që u ka kushtuar jetën dhjetëra mijëra njerëzve.

Qeveria turke gjithashtu ka akuzuar Finlandën dhe Suedinë për vendosjen e kufizimeve të eksportit të armëve ndaj Turqisë dhe refuzimin e ekstradimit të "terroristëve" të dyshuar.

Associated Press shkruan se, kundërshtimet e Turqisë kanë zbehur shpresat e Stokholmit dhe Helsinkit për t'u bashkuar me NATO-n, në mes të pushtimit rus të Ukrainës dhe kanë vënë në rrezik besueshmërinë e aleancës transatlantike, pasi për pranimin e anëtarëve të rinj, duhet të bien dakord 30 vendet anëtare të NATO-s.

Sipas zyrtarëve turq, delegacionet suedeze dhe finlandeze u takuan me zëdhënësin e presidentit Recep Tayyip Erdogan, Ibrahim Kalin dhe zëvendësministrin e Jashtëm turk Sedat Onal. Delegacioni suedez u kryesua nga sekretari i shtetit Oscar Stenstrom, ndërsa Jukka Salovaara, nënsekretarja e ministrisë së Jashtme, ishte në krye të delegacionit finlandez.

Kryeministrja suedeze Magdalena Andersson pas një takimi me presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel në Stokholm tha se gjatë bisedimeve me Turqinë, vendi i saj donte të "sqaronte" pretendimet që janë në qarkullim.

"Ne nuk dërgojmë para ose armë për organizatat terroriste," tha Andersson

Këtë javë, Turqia renditi pesë "garanci konkrete" që kërkonte nga Suedia, ato ishin, "përfundimi i mbështetjes politike për terrorizmin", "eliminimi i burimit të financimit të terrorizmit" dhe "ndërprerja e mbështetjes me armë" për PKK-në dhe një grup milicie kurde siriane të lidhur me të.

Në kërkesat e vendit bënte pjesë edhe heqja e sanksioneve të armëve kundër Turqisë dhe bashkëpunimi global kundër terrorizmit.

Ndërkohë, Turqia tha se ka kërkuar ekstradimin e militantëve kurdë dhe të dyshuarve të tjerë që nga viti 2017, por nuk ka marrë një përgjigje pozitive nga Stokholmi. Qeveria turke pretendoi se Suedia kishte vendosur të sigurojë 376 milionë dollarë për të mbështetur militantët kurdë në vitin 2023 dhe se u kishte siguruar atyre pajisje ushtarake, duke përfshirë armë antitank dhe drone.

Por, Suedia ka mohuar ofrimin e ndonjë “ndihme financiare apo mbështetje ushtarake” për grupet ose entitetet kurde në Siri.

“Suedia është një donator i madh humanitar për krizën në Siri përmes alokimeve globale për aktorët humanitarë”, është shprehur ministrja e Jashtme Ann Linde për gazetën Aftonbladet.

"Bashkëpunimi në Sirinë verilindore kryhet kryesisht përmes Kombeve të Bashkuara dhe organizatave ndërkombëtare," tha ajo. “Suedia nuk ofron mbështetje për kurdët sirianë apo strukturat politike apo ushtarake në Sirinë verilindore, por popullsia në këto zona, natyrisht, po merr pjesë në këto projekte ndihme.”

Duke folur të martën përpara një takimi të Këshillit të Shteteve të Detit Baltik, ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock tha se Rusia nuk i kishte lënë Suedisë dhe Finlandës "zgjidhje tjetër" veçse t'i bashkohet NATO-s.

Ajo tha se Gjermania do të mbështesë anëtarësimin e të dy vendeve, duke e quajtur atë "një fitim të vërtetë" për aleancën ushtarake.

Tjera nga autori:
1