<b></b> Të vdekur në tokën e huaj: Kufomat e ushtarëve rusë gjenden të braktisura afër Kievit

Të vdekur në tokën e huaj: Kufomat e ushtarëve rusë gjenden të braktisura afër Kievit

25.05.2022 11:34

Kur qentë e tyre filluan që ta gërryenin dheun në një vend në pyll, banorët e fshatit Zavalivka i lajmëruan autoritetet. Një ekip ushtarak ukrainas shkoi aty me rroba të bardha mbrojtëse, duke e larguar me kujdes shtresën e sipërme të dheut.

Sarah Rainsford, BBC

Ukrainasit e gjetën trupin e një burri, me fytyrë teposhtë dhe me këmbë të përdredhura në mënyrë të çuditshme nën të. Ishte e qartë nga uniforma se ai ishte ushtar rus.

Disa javë pas dështimit për ta marrë kryeqytetin ukrainas, mbetjet e trupave ruse ende po zbulohen në fshatrat nëpër të cilat kanë kaluar ose që i kishin pushtuar afër Kievit. Megjithatë, Ukraina thotë se Rusia po shfaq pak interesim për t’i marrë kufomat.

Nga varri në pyll, trupi u fut në një tren frigorifer në periferi të Kievit, që tash përdoret si morg i lëvizshëm për të vdekurit rusë.

Thasët e bardhë nga plastika janë të shënuar me numra, jo me emra. Të paktën 137 të tillë gjendeshin në dy vagonë, ditën kur gazetarët e “BBC”-së e vizituan trenin.

Ukrainasit përpiqen që ta identifikojnë të vdekurin. Në trupin e porsaardhur, ekipi i forenzikës gjeti dy karta banke si dhe stema të një brigade të motorizuar ruse.

“Të paktën ky ka gjasë që të kthehet në shtëpi”, tha një punëtor ukrainas, duke i paraqitur ato që janë gjetur, përfshirë një copë rrobe me dhe, në të cilën ishte shtypur stema e ushtrisë ruse.

Një çast më vonë, vërtetova se burri, trupin e të cilit e kisha parë duke i nxjerrë nga pylli, ishte i një ushtari të ri të martuar nga Siberia. Pranë qeses me trupin e tij, një fotografi bardhë e zi nga rrjetet e tij sociale u shfaq në telefonin tim.

Rusia ka një slogan krenarie: “Ne nuk i braktisim tanët”. Ai është pjesë e madhe e justifikimit të supozuar të presidentit Vladimir Putin për pushtimin e Ukrainës, ku ai në mënyrë të rreme ka pretenduar se folësit e rusishtes kanë nevojë për mbrojtje.

Duket se ky zotim nuk vlen aq shumë për vetë ushtarët e Rusisë.

“Trupat, që ne i kemi gjetur, tregojnë se ata i trajtojnë njerëzit si bërllok, si mish për top. Atyre nuk u duhen ushtarët e tyre. I hedhin këtu, tërhiqen dhe i lënë trupat”, tha koloneli ukrainas, Volodymyr Liamzin.

Në të vërtetë, nuk dimë se si ushtari i ri në pyll u braktis. Banorët e fshatit Zavalivka thonë se fshiheshin në bodrume nga bombardimet. Ata supozojnë se ushtari ishte lënduar dhe i kishte humbur rruga, kur njësiti i tij ishte detyruar që të tërhiqej.

Nga ajo që kemi mësuar për trupat ruse, që luftonin përreth Kievit, shumë prej tyre ishin ushtarë të rinj dhe të papërvojë. Ka gjasë që ata kanë ikur nën zjarr.

“Kemi bërë një shkëmbim”, tha koloneli Liamzin, duke sqaruar se rusët kanë paraqitur një listë të shkurtër të ushtarëve të vdekur, trupat e të cilëve duan që t’u kthehen.

“Jemi të gatshëm që t’ua japim të gjithë, duam që t’i kthejmë edhe të vdekurit tanë. Trokasim në secilën derë, por nuk ka përgjigje, s’ka dialog”, thotë koloneli.

Vonesa për mbledhjen e trupave nuk është unike vetëm për Rusinë. Asnjëra palë në luftë nuk është e hapur për numrin e ushtarëve të vrarë. Kemi biseduar me disa familje ukrainase, që thonë se qeveria e tyre nuk u ka ofruar ndihmë për marrjen e mbetjeve të ushtarëve ukrainas nga fushëbeteja.

Një grua, që për vdekjen e burrit i treguan ushtarët në njësitin e tij, tha se është përpjekur që ta marrë trupin e tij për gati tre muaj.

Por të vdekurit rusë po zbulohen këtu tërë kohën. Pak mbi rrugën nga Zavalivka për në Sytnyaky, një i moshuar i fshatit nga tregoi se të paktën dhjetë ushtarë rusë janë vrarë dhe janë braktisur në mars, ndoshta më shumë.

Kolona e tyre kishte rënë në pritë, pasi e kishin humbur rrugën. Banorët i kishin hequr dhe ndryshuar shenjat e trafikut.

I moshuari thotë se ai dhe disa të tjerë i varrosën rusët pas betejës për arsye sanitare. Kur unë pata pamje të çuditshme në fytyrë, ai tha se shumica ishin bërë copë-copë.

Një banor, që po mbillte panxharë, vërtetoi se rusët janë vrarë përgjatë rrugës kryesore. “Nuk është njerëzore që të braktiset ushtari, që të mos varrosen”, thotë Mikola, duke u mbështetur në lopatë. Djali i tij është në ushtrinë ukrainase.

“Gruaja ime ndjeu keqardhje në fillim për rsuët, por pastaj zbuluam se çfarë bënë këtu”, shton ai, duke iu referuar sulmit ndaj civilëve të paarmatosur në Buça dhe Irpin.

“Askujt nuk i vjen keq për rusët për kësaj.”

Përktheu: Nasuf Abdyli - Nacionale

Tjera nga autori:
1