<b></b> Tetë automjete policie digjen në Mynih pak ditë para samitit të G7-ës

Tetë automjete policie digjen në Mynih pak ditë para samitit të G7-ës

22.06.2022 15:42

Tetë automjete policie janë djegur në Mynih, pak ditë para samitit të G7-ës në Bavari. Hetimet supozojnë se zjarri është vënë me qëllim. Takimet e vendeve më të industrializuara gjithmonë janë shoqëruar me protesta, e nganjëherë edhe me dhunë.

Automjetet e policisë së ndërhyrjes së dhpejtë ishin parkuar para hotelit ku ishin duke qëndruar oficerët e policisë të ngarkuar me sigurimin e samitit, konfirmoi për dpa një zëdhënës i policisë së Mynihut.

Ministrja e Brendshme gjermane, Nancy Fezer tha se ajo nuk sheh ndonjë kërcënim specifik të sigurisë.

Franz Hazlbeck nga shoqata protestuese “Stop G7 Elmau”, e quajtur sipas kështjellës bavareze Elmau ku do të zhvillohet samiti, është distancuar nga vënia e zjarrit. Ai është i sigurt, tha ai, se asnjë nga organizatat e mbledhura në shoqatën e tij nuk është e përfshirë. Hazlbeck theksoi se "Stop G7 Elmau" mbron protestat paqësore.

Policia, menjëherë pasi mësoi për zjarrvënien, është nisur me helikopter në kërkim të autorëve të mundshëm, por deri tani pa sukses, tha një zëdhënës. U hetuan edhe mbetjet e automjeteve të djegura plotësisht. Zyrtarët vlerësuan dëmin në qindra mijëra euro. Nga ngjarja nuk ka persona të lënduar.

Ky nuk është incidenti i parë që lidhet me takimin në Kalanë e Elmaut, i cili nis të dielën dhe për të cilin tashmë janë vendosur masat më të larta të sigurisë. Të martën u mësua se dikush po ngatërrohej me kutitë e shpërndarjes së energjisë brenda zonës së sigurisë së shtuar rreth vendit të samitit. Ka edhe grafite kundër samitit, ndërsa policia dyshon se këto veprime janë të motivuara politikisht.

Për më tepër, në publik u zbuluan dokumente të policisë sekrete nga koha e samitit të G7 në 2015, i cili u mbajt gjithashtu në Kalanë Elmau. Ministri Fezer për këtë ka reaguar në mënyrë të qetë, duke thënë se kjo nuk ndikon në planet aktuale për sigurimin e samitit.

Megjithatë, ajo tha se pret aktivitete nga e majta ekstreme, por që nuk përjashtohen as qarqet kundër vaksinimit në lidhje me luftën në Ukrainë. Samiti i G7 është planifikuar nga e diela deri të martën në kështjellën tashmë të mbyllur hermetikisht Elmau pranë Garmisch-Partenkirchen.

Aty do të takohen krerët e shteteve dhe qeverive të Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë, Japonisë dhe Kanadasë, të udhëhequr nga kancelari gjerman, Olaf Scholz.

Tjera nga autori:
1