<b></b> Tetë luftanije ruse e kineze shihen afër Japonisë

Tetë luftanije ruse e kineze shihen afër Japonisë

23.06.2022 08:55

Të paktën tetë luftanije ruse e kineze janë parë në detet afër Japonisë këtë javë, një tjetër shenjë e presionit të hapur që dy fuqitë botërore po ia bëjnë Tokios pas përkeqësimit të raporteve për shkak të Ukrainës dhe Tajvanit.

Ministria e Mbrojtjes e Japonisë tha të martën se forcat e saj kanë vëzhguar pesë luftanije ruse, të udhëhequra nga një shkatërruese nëndetësesh duke lundruar nëpër Ngushticën e Tsushima-s, që e ndan Japoninë me Korenë Jugore.

Flota ruse me pesë anije ndodhet afër ishujve japonezë qe një javë, nga Hokkaido në veri deri tek Okinawa në jug, tha ministria japoneze në një njoftim për gazetarë.

Ndërkohë, të paktën dy luftanije dhe një anije furnizuese kineze u panë të martën afër Ishujve Izu, rreth 500 kilometra në jug të kryeqytetit Tokio. Njëra nga to ishte e tipit “Lhasa”, njëra nga më të fuqishmet që ka Kina.

Ministria e Mbrojtjes e Japonisë tha se këto anije janë duke operuar afër Japonisë që nga 12 qershori.

“Kjo është shfaqje e qartë e forcës nga Rusia dhe Kina. Këto aktivitete janë brengë e madhe për Japoninë. Jo më pak, përcjellja e lëvizjeve të forcave ushtarake ruse e kineze është tendosje ndaj burimeve të Forcave Vetëmbrojtëse të Japonisë”, tha James Brown, profesor i shkencave politike në Universitetin Temple në Tokio.

Së fundi, kur kryeministri japonez, Fumio Kishida, po mbante samit me udhëheqësit e Shteteve të Bashkuara, Australisë dhe Indisë në Tokio, forcat ajrore kineze e ruse kryen patrulla të përbashkëta strategjike mbi Detin e Japonisë, Detin Lindor të Kinës dhe në pjesën perëndimore të Oqeanit Paqësor.

Tjera nga autori:
1