<b></b> Thatësi e madhe në Etiopi, majmunët e uritur po i sulmojnë fëmijët

Thatësi e madhe në Etiopi, majmunët e uritur po i sulmojnë fëmijët

15.06.2022 12:35

Thatësia dhe uria në Etiopi po shkaktojnë sjellje të pazakonshme të kafshëve, përfshirë sulmet e majmunëve ndaj fëmijëve dhe gjedheve për shkak të urisë, sipas një raporti të organizatës “Save the Children”.

The Independent

Shkalla e kequshqyerjes në lindje dhe juglindje të Etiopisë është rritur muajve të fundit, nën ndikimin e thatësisë, zhvendosjes dhe konfliktit. Organizata bamirëse vlerëson se 185.000 fëmijë janë duke vuajtur nga forma më vdekjeprurëse e kequshqyerjes.

Thatësia e gjatë, pengesat ndaj shërbimeve shëndetësore për shkak të jostabilitetit, pandemia dhe mungesa e fondeve kanë ndikuar që mbi një milion njerëz të kenë nevojë për përkrahje urgjente për ushqim në rajon.

Kequshqyerja e skajshme vetëm pritet që të përkeqësohet në muajt e ardhshëm, sepse çmimet e ushqimit po rriten për shkak të humbjes së vlerës së valutës kombëtare të Etiopisë dhe luftës në Ukrainë.

Komunitetet bujqësore janë në mesin e më të goditurave, sepse njëra nga thatësirat më të mëdha në Bririn e Afrikës po e shkakton ngordhjen e gjedheve.

Një burrë 40-vjeçar, baba i shtatë fëmijëve, që jeton në rajonin Somali të Etiopisë, i ka humbur gjedhet për shkak të thatësisë. Ai u largua nga fshati me fëmijët e vet për të kërkuar ushqim dhe ujë.

“Nuk di se si t’i ushqej fëmijët. Nuk po bie shi. Bari është tharë. Delet dhe dhitë e mia ngordhën, bashkë me qindra e mijëra kafshë në fshatin tonë. I ngarkuam ato pak gjësende tonat në karrocën e gomarit dhe u nisëm në mesnatë”, tha ai.

Rreth 8.1 milionë njerëz në Etiopi janë prekur nga thatësia e gjatë, ndërsa gati 30 milionë – ose rreth çereku i popullsisë së Etiopisë – vlerësohet se kanë nevojë për ndihma humanitare, përfshirë 12 milionë fëmijë.

Kriza klimatike ka sjellë thatësi të madhe në Bririn e Afrikës, Etiopi, Somali e Keni. Më shumë se 23 milionë njerëz po përjetojnë uri të skajshme në këto tri shtete, ndërsa 5.8 milionë fëmijë janë të kequshqyer rëndë.

Xavier Joubert, drejtor i organizatës “Save the Children” në Etiopi, tha: “Fëmijët – sidomos fëmijët e vegjël –po e bartin barrën e një krize pikëlluese e shumëfaqëshe në Etiopi. Fatkeqësisht, më 2022, krizës së Etiopisë i janë rritur ndërlikueshmëria dhe niveli. Në jug dhe në lindje, thatësia e gjatë po e shkatërron jetën dhe mjetet e jetesës; në veri, miliona familje të zhvendosura vështirë se kanë qasje në ushqim, shërbime shëndetësore, mjete jetese; në jugperëndim, një konflikt i fshehur po zhvendos qindra mijëra njerëz.”

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Tjera nga autori:
1