<b></b> The Economist: Liderët botërorë duhet ta shohin urinë si një problem që kërkon urgjentisht zgjidhje globale

The Economist: Liderët botërorë duhet ta shohin urinë si një problem që kërkon urgjentisht zgjidhje globale

22.05.2022 21:00

Lufta po e kthen një botë të brishtë drejt urisë masive. Rregullimi i kësaj është përgjegjësi e secilit.

Siç shkruan The Economist, pushtimi i Ukrainës nga Vladimir Putin do të shkatërrojë jetët e njerëzve larg fushëbetejës në një shkallë për të cilën edhe ai mund të pendohet. Agresioni ushtarak rus po e godet sistemin botëror ushqimor të dobësuar nga pandemia COVID-19, ndryshimet klimatike dhe kriza energjetike.

Çmimet e grurit, të cilat ishin rritur 53 për qind që nga fillimi i vitit, u rritën me 6 për qind më 16 maj pasi India njoftoi se do të kufizonte eksportet për shkak të një vale të rrezikshme të të nxehtit.

Më 18 maj, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së António Guterres paralajmëroi se muajt në vijim mund të sjellin "mungesë të ushqimit në mbarë botën" që mund të vazhdojë me vite.

Gati 250 milionë njerëz janë në prag të urisë. Qindra miliona njerëz të tjerë mund të varfërohen nëse lufta vazhdon dhe furnizimet nga Rusia dhe Ukraina pakësohen.

Udhëheqësit botërorë duhet ta shohin urinë si një problem global që kërkon urgjentisht një zgjidhje globale.

Rusia dhe Ukraina furnizojnë 28% të grurit të tregtuar globalisht, 29% të elbit, 15% të misrit dhe 75% të vajit të lulediellit.

Eksportet e ushqimit të Ukrainës ofrojnë kalori për të ushqyer 400 milionë njerëz. Këto furnizime janë ndërprerë nga lufta pasi Ukraina ka minuar rrugët e saj ujore për të penguar një pushtim dhe Rusia ka bllokuar portin e Odessa.

Kina, prodhuesi më i madh i grurit, ka thënë se, pas shirave që vonuan mbjelljen vitin e kaluar, rendimentet do të jenë më të këqijat në histori. Mungesa e shiut në Indi kërcënon të zvogëlojë rendimentet poashtu.

E gjithë kjo do të ketë një efekt të rëndë për të varfërit. Ushqimi përbën 25% të buxheteve familjare në ekonomitë në zhvillim dhe deri në 40% në Afrikën Sub-Sahariane. Buka përbën 30% të të gjitha kalorive të konsumuara në Egjipt. Shumë qeveri të vendeve importuese nuk mund të përballojnë rritjen e ndihmës për të varfërit, veçanërisht nëse ato importojnë gjithashtu energji, një treg tjetër i paqëndrueshëm.

Kriza duket se po përshkallëzohet. Para luftës, Ukraina kishte transportuar pjesën më të madhe të të korrave të verës së kaluar. Pavarësisht rritjes së kostove dhe rreziqeve për transportuesit, Rusia është ende në gjendje të shesë grurin e saj.

Fermerët nuk kanë ku të ruajnë të korrat e tyre të ardhshme, të cilat janë planifikuar të fillojnë në fund të qershorit. Dhe ata nuk kanë karburant apo punë të mjaftueshme për ta mbjellë atë pas kësaj. Rusisë, nga ana e saj, mund t'i mbarojnë disa nga farat dhe pesticidet që normalisht i blen nga Bashkimi Evropian.

Reagimet e politikanëve të shqetësuar mund të përkeqësojnë një situatë tashmë të rëndë. Që nga fillimi i luftës, 23 vende, nga Kazakistani në Kuvajt, kanë vendosur kufizime të ashpra në eksportet e ushqimit që arrijnë në 10% të kalorive të tregtuara globale. Më shumë se një e pesta e të gjitha eksporteve të plehrave janë të ndaluara. Uria është e pa-shmangshme nëse tregtia ndalet.

Për momentin ka një lojë fajësimi në të cilën Perëndimi dënon Putinin për pushtimin e tij, ndërsa Rusia dënon sanksionet perëndimore. Në realitet, ndërprerjet janë kryesisht rezultat i pushtimit të Putinit. Argumenti mund të përdoret lehtësisht për të justifikuar mosveprimin. Ndërkohë, shumë njerëz do të mbeten të uritur dhe disa do të vdesin.

 

Tjera nga autori:
1