<b>TikTok tërheq </b> miliona shikime me video të rreme nga lufta e Ukrainës

TikTok tërheq miliona shikime me video të rreme nga lufta e Ukrainës

25.04.2022 21:31

TikTok është shfaqur si një nga platformat kryesore për videot e rreme rreth luftës në Ukrainë, të cilat po arrijnë miliona shikues.

Me një bazë përdoruesish prej më shumë se një miliard njerëz - më shumë se gjysma e të cilëve janë nën 30 vjeç, TikTok është vendi ku shumë të rinj kanë marrë përditësime rreth konfliktit, ndërsa platforma përpiqet të frenojë rrjedhën e informacionit mashtrues.

Sipas një hetimi nga NewsGuard, një faqe interneti që monitoron dezinformatat online, përdoruesve të rinj mund t'u rekomandohet përmbajtje false në lidhje me Ukrainën brenda 40 minutave nga kyçja në rrjet.

Ndërsa platforma të tilla si Facebook, Instagram dhe Twitter kanë etiketuar video të rreme ose mashtruese virale rreth luftës, TikTok duket se po luan “catch-up,” edhe pse kompania këmbëngul se ka rritur përpjekjet e saj për të luftuar dezinformimin.

Këto janë disa nga kategoritë më të zakonshme të përmbajtjes mashtruese që BBC ka identifikuar në platformë.

Transmetimet e drejtpërdrejta të rreme

Që në ditët e para të luftës, transmetimet e drejtpërdrejta të rreme kanë tërhequr disa nga shifrat më të larta të shikimeve në TikTok.

Metoda është e thjeshtë: një përdorues gjen një video dramatike të një konflikti të vjetër ose ndonjë stërvitje ushtarake, dublikon audio të rreme të një shpërthimi të madh ose një shkëmbim zjarri intensiv, fillon një transmetim të drejtpërdrejtë dhe sapo një audiencë e konsiderueshme të sintonizohet, kërkon donacione për kanalin e tij .

Në TikTok ishte kapur një llogari e tillë, e cila kishte tërhequr afro 30 milionë shikime deri në mes të marsit. Të gjitha, përveç tre transmetimeve të drejtpërdrejta, ishin klipe të shkurtra të marra nga një video në YouTube nga stërvitje të vjetra ushtarake ukrainase, që datonin nga viti 2017.

Shumica e transmetimeve të drejtpërdrejta të rreme mund të gjenden lehtësisht në rrjet, nën hashtags të njohur si #Ukraine ose #UkraineWar.

Video lojërat

Pamjet dramatike të video lojërave ushtarake ose imazheve të krijuara nga kompjuteri janë përdorur rregullisht si zëvendësim për videot e vërteta të luftës.

Skenat nga videolojërat si Arma 3 dhe Call of Duty kanë vërshuar TikTok-un. Betejat e rreme ajrore, duke përfshirë pamjet që shfaqin rrëzimin e avionëve luftarakë, kanë rezultuar veçanërisht të njohura.

Disa llogari përpiqen t’i bëjnë videot më realiste, duke përdorur klipe nga filma lufte, seriale televizive ose lojëra të jetës reale.

Një video, e cila u shikua 24 milionë herë, tregonte një burrë që duket duke hedhur diçka shpërthyese në një tank. Pamja, është marrë nga një video e një ndeshjeje Airsoft - një lojë luftarake ekipore e ngjashme me paintball - dhe është ngarkuar në YouTube në janar.

Video të vjetra

Videot e konflikteve të vjetra zakonisht përdoren kur një i ri është duke u zhvilluar. BBC ka parë video nga luftërat në Libi, Siri dhe Çeçeni duke u përdorur sikur po tregonin konfliktin aktual në Ukrainë.

Një video që pretendon të tregojë luftime intensive midis forcave ruse dhe ukrainase jashtë një blloku banesash ka grumbulluar 7.7 milionë shikime.

Por pamjet në fakt u regjistruan në vitin 2014 në kryeqytetin çeçen, Grozny, gjatë një sulmi vdekjeprurës nga një grup i armatosur xhihadist. Në pamjet ishin vendosur lajmet e rreme dhe titrat e drejtpërdrejta në mënyrëë që të fshihet burimi i vërtetë.

Të tjerë përdorues, kanë postuar video nga konflikti midis Rusisë dhe Ukrainës në vitin 2014, i cili mund të ngatërrohet lehtësisht me atë aktual, ose pamje të stërvitjeve ushtarake apo paradave në secilin vend.

Një video e një kolone tankesh ukrainase në qendër të Kievit u prezantua sikur ata ishin në rrugën e tyre për të mbrojtur kryeqytetin kundër një ofensive ruse. Video mori nëntë milionë shikime, por në fakt ishte filmuar gjatë një parade ushtarake të ditës së pavarësisë disa vite më parë.

Tjera nga autori:
1