<b></b> Trazirat në burgjet e Ekuadorit: Vriten mes vete më shumë se 40 të burgosur

Trazirat në burgjet e Ekuadorit: Vriten mes vete më shumë se 40 të burgosur

09.05.2022 23:01

Të paktën 43 të burgosur janë vrarë në trazirat e fundit vdekjeprurëse në burgjet e Ekuadorit, ka thënë prokurori publik.

Ai ka njoftuar se një përleshje ka shpërthyer midis bandave rivale Los Lobos dhe R7 në një burg në Santo Domingo, në lindje të kryeqytetit Quito.

Ekuadori po lufton me një valë dhune bandash dhe kohët e fundit ka parë trazirat më vdekjeprurëse të burgjeve në histori dhe disa pjesë të vendit janë në gjendje të jashtëzakonshme për shkak të krimit në rritje që ka tronditur vendin.

Gjatë trazirave në burgun Bellavista, të paktën 112 të burgosur u përpoqën të arratiseshin por u arrestuan, njoftoi stacioni televiziv lokal Teleamazonas.

Dhjetëra të tjerë u plagosën në trazira, por numri i saktë është ende i paqartë.

Fotot nga jashtë burgut tregojnë të burgosurit e gjakosur duke u transportuar nga kamionët në ambulancat e pritjes. Ndërsa lajmet për trazirat u përhapën në të gjithë komunitetin, shumë të afërm u mblodhën jashtë objektit, të shqetësuar dhe të dëshpëruar për lajme.

Presidenti Guillermo Lasso dërgoi ngushëllimet e tij për familjet e atyre që vdiqën dhe tha se ishte "rezultat fatkeq i dhunës së bandave".

Ndërsa, ministri i Brendshëm i Ekuadorit, Patricio Carrillo, shkroi në Twitter se qeveria po punon "për të kapërcyer problemet e sistemit të burgjeve, por është komplekse të gjesh zgjidhje të shpejta në një mjedis... dhune".

Që nga shkurti i vitit 2021 në burgjet e vendit janë vrarë gati 400 të burgosur.

Një nga më të këqijat ishte në shtator, kur 119 të burgosur u vranë në një burg në Guayaquil. Më pak se dy muaj më vonë, të paktën 68 të burgosur vdiqën në luftime të reja në të njëjtin burg. Trazirat janë veçanërisht brutale, me disa të burgosur të vrarë ose me koka të prera.

Presidenti Lasso, i cili mori detyrën në maj të vitit të kaluar, ka fajësuar trafikun e drogës për problemet e krimit të Ekuadorit. Vendi i Andeve përdoret si një rrugë tranziti për kokainën e kontrabanduar nga Peruja dhe Kolumbia fqinje, dhe kartelet e fuqishme meksikane të drogës thuhet se veprojnë përmes bandave lokale.

Ai ka premtuar të rrisë forcën e policisë dhe të falë të burgosurit që u dënuan për krime të lehta për të lehtësuar mbipopullimin, por kritikët thonë se ai ka humbur kontrollin e situatës.

Tjera nga autori:
1