<b></b> Tri samite për pak ditë e testojnë unitetin e Perëndimit, mbizotëron Ukraina

Tri samite për pak ditë e testojnë unitetin e Perëndimit, mbizotëron Ukraina

23.06.2022 12:07

Tri samite radhazi për një javë do t’i testojnë vendosmërinë e Perëndimit për ta përkrahur Ukrainën dhe shkallën e unitetit ndërkombëtar, kur hija e rritjes së tensioneve gjeopolitike dhe vështirësive ekonomike po shfaqet gjithnjë e më shumë.

Të enjten dhe të premten, udhëheqësit e Bashkimit Evropian do të takohen në Bruksel për ta shqyrtuar ofrimin e statusit të kandidates për BE Ukrainës. Nga e diela deri të martën, ekonomitë më të fuqishme, të njohura si Grupi G7, do ta mbajnë samitin vjetor në Gjermani. Menjëherë më pas, udhëheqësit e NATO-s do të takohen në Madrid të Spanjës, ku mund të ketë ngecje të shpresës së Finlandës dhe Suedisë për t’u anëtarësuar në aleancë.

27 vendet e NATO-s duket se janë rrugës për t’i dhënë Ukrainës një fuqizim shumë të nevojshëm moral gjatë luftës me Rusinë. Megjithatë, mundësia që vendet e NATO-s që ta thyejnë kundërshtimin e Turqisë për anëtarësimin e Finlandës e Suedisë, në rastin më të mirë, duket e paqartë.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, shpreson për një front të bashkuar sa u përket përkrahjes afatgjate për Ukrainën, luftimin e ndryshimeve klimatike dhe urinë globale në kohën e rritjes së inflacionit dhe pasigurisë për furnizim me karburante, kur t’i mirëpresë udhëheqësit e vendeve të Grupit G7 në Alpet e Bavarisë: Shtetet e Bashkuara, Francën, Italinë, Britaninë e Madhe, Kanadanë e Japoninë.

“Tash është koha, kur ata përreth botës, që i mbrojnë demokracinë dhe lirinë, të drejtat e njeriut e shoqërinë liberale, duhet të qëndrojë bashkë”, tha kancelari gjerman para samiteve.

“Liria e ka çmimin e vet, demokracia e ka çmimin e vet, solidariteti me miqtë dhe partnerët e ka çmimin e vet dhe ne jemi të përgatitur që ta paguajmë këtë çmim”, shtoi ai, duke pranuar se sanksionet kundër Rusisë po shkaktojnë edhe dhimbje në Evropë. “Përkrahja për Ukrainën do të vazhdojë aq gjatë sa Ukraina ka nevojë për të”, tha kancelari gjerman.

Sipas disa diplomatëve të BE-së, që folën në kushte anonimiteti për diskutimet me dyer të mbyllura para samitit, Ukraina do ta marrë miratimin e njëzëshëm.

Tema e Ukrainës pritet që të mbizotërojë edhe në samitin e Grupit G7. Ministrat e Financave të vendeve të këtij grupi muajin e kaluar u pajtuan që t’i japin Ukrainës ndihmë ekonomike prej 19.8 miliardë dollarësh për ta mbajtur funksionimin e shërbimeve themelore dhe për ta parandaluar dobësimin e mbrojtjes kundër sulmeve ruse për shkak të krizës financiare.

Zyrtarë të lartë të administratës amerikane, duke folur në kushte anonimiteti, thanë se Ukrainë do të jetë temë kryesore e bisedimeve javën e ardhshme dhe se ShBA-ja e aleatët e saj do të paraqesin plane të reja për ta rritur presionin ndaj Rusisë dhe për ta shtuar përkrahjen për Ukrainën./Nacionale

Tjera nga autori:
1