<b></b> U tha se Putini është i sëmurë, kritikon Lavrov: Janë thashetheme perëndimore

U tha se Putini është i sëmurë, kritikon Lavrov: Janë thashetheme perëndimore

30.05.2022 16:31

"Asnjë person i arsyeshëm nuk mendon se Putini është i sëmurë,” kështu është shprehur ministri i Jashtëm rus Sergeri Lavrov në një intervistë të dhënë për një televizion francez.

Lavrov ka mohuar se Vladimir Putin është i sëmurë dhe ka kritikuar komentet e vazhdueshme perëndimore lidhur me shëndetin e presidentit të vendit.

 “Ia lë në ndërgjegjen e atyre që përhapin thashetheme të tilla”, tha Lavrov.

Kujtojmë se javët e fundit është raportuar se Putini ka pasur kancer, ka humbur shikimin dhe se i janë dhënë tre vjet jetë.

 “Unë nuk mendoj se njerëzit e arsyeshëm mund të shohin tek ky person shenja të ndonjë lloj sëmundjeje”, tha Lavrov për kanalin TF1.

 “Mund ta shikoni në ekrane, të lexoni dhe dëgjoni fjalimet e tij. Unë ia lë në ndërgjegjen e atyre që përhapin thashetheme të tilla, pavarësisht mundësive të përditshme për të vlerësuar se si po duket dikush.”

Javën e kaluar, edhe burime të inteligjencës britanike ishin mes atyre që dhanë pretendime se Putini është i sëmurë rëndë.

Lavrov ndër të tjera foli edhe për situatën në Donbas, ku tha se “çlirimi” i tij ishte prioritet për Moskën duke shtuar se pushtimi i Ukrainës është një "operacion ushtarak special" për "denazifikimin" e vendit. Një pohim ky i pabazë që si Kievi ashtu edhe vendet perëndimore e kanë hedhur poshtë.

“Çlirimi i rajoneve të Donetskut dhe Luhanskut, të njohura nga Federata Ruse si shtete të pavarura, është një prioritet i pakushtëzuar”, tha Lavrov.

Kujtojmë se, pas një tërheqjeje poshtëruese nga kryeqyteti ukrainas Kiev dhe qyteti i dytë Kharkiv, Putini e ktheu vëmendjen e tij në Donbas, një rajon kryesisht rusishtfolës që u pushtua pjesërisht në vitin 2014.

Sipas Kombeve të Bashkuara, që nga fillimi i luftës rreth 4,000 civilë janë vrarë, përfshirë 200 fëmijë edhe pse mendohet se numri real mund të jetë shumë më i lartë.

“Po, njerëzit po vriten”, tha Lavrov në intervistë. "Por operacioni po merr kaq shumë kohë, kryesisht sepse ushtarët rusë që marrin pjesë janë nën urdhra të rreptë kategorikisht për të shmangur sulmet dhe goditjet në infrastrukturën civile."

Lavrov gjithashtu akuzoi Francën se "luan një rol aktiv në Ukrainë" dhe nxit "nacionalizmin ukrainas dhe neo-nazizmin".

Tjera nga autori:
1