<b></b> UNAIDS: Lija e majmunëve mund të prekë këdo, jo vetëm komunitetin LGBTQ+

UNAIDS: Lija e majmunëve mund të prekë këdo, jo vetëm komunitetin LGBTQ+

23.05.2022 21:47

Marrë parasysh që në një pjesë të madhe të raporteve të fundit lidhur me linë e majmunëve thuhet se kjo sëmundje është më e përhapur në mesin e homoseksualëve, biseksualëve dhe meshkujve të tjerë që kryejnë marrëdhënie seksuale me meshkuj, Programi i Përbashkët i Kombeve të Bashkuara për HIV/AIDS (UNAIDS) shprehu shqetësim të dielën se disa raportime dhe komente mediatike po përforcojnë stereotipe homofobike dhe raciste.

Që nga 21 maji, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka marrë raporte për 92 raste të konfirmuara nga laboratorët dhe 28 raste të dyshuara nga 12 vende jo endemike për sëmundjen, disa nga rastet janë identifikuar përmes klinikave të shëndetit seksual dhe hetimet janë ende duke vazhduar.

Por, sipas OBSH-së, provat e disponueshme sugjerojnë se njerëzit më të rrezikuar janë ata që kanë pasur kontakt të ngushtë fizik me dikë që është i infektuar me linë e majmunëve, por ky rrezik nuk kufizohet në asnjë mënyrë vetëm tek burrat që kryejnë marrëdhënie seksuale me burra.

Prandaj, UNAIDS u bëri thirrje organeve mediatike, qeverive dhe komuniteteve që të përgjigjen me një qasje të bazuar në të drejta që shmangin stigmën dhe u bëri thirrje të gjitha mediave që mbulojnë linë e majmunëve të ndjekin përditësimet e OBSH-së.

Ndërkohë, agjencia shëndetësore e OKB-së tha gjatë fundjavës se ndërsa situata po evoluon dhe mbikëqyrja po zgjerohet, pritet që të identifikohen më shumë raste të lisë së majmunëve.

Emri “Monkeypox” e ka origjinën nga zbulimi fillestar i virusit te majmunët në një laborator danez në vitin 1958. Rasti i parë njerëzor u identifikua te një fëmijë në Republikën Demokratike të Kongos në vitin 1970.

Virusi i lisë së majmunit transmetohet nga një person te tjetri përmes kontaktit të ngushtë me lezione, lëngje trupore, pika të frymëmarrjes dhe materiale të kontaminuara. Periudha e lisë së majmunëve është zakonisht nga 6 deri në 13 ditë, por mund të variojë edhe nga 5 deri në 21 ditë.

Tjera nga autori:
1