<b></b> Ukraina do më shumë armë, në Mariupol raportohet për përhapje të kolerës

Ukraina do më shumë armë, në Mariupol raportohet për përhapje të kolerës

11.06.2022 10:53

Ukraina u ka kërkuar vendeve perëndimore dërgesa më të shpejta të armëve, kur forcat ruse, të armatosura më mirë, po e godasin pjesën lindore të saj. Po kërkohet gjithashtu përkrahje humanitare për ta luftuar përkrahjen në rritje të sëmundjeve vdekjeprurëse.

Në Severodonetsk, qytet i vogël që është bërë cak i avancimit rus në lindje të Ukrainës dhe njëra nga pikat më të përgjakshme të luftës, u raportua për luftime të reja.

Zyrtarët ukrainas thonë se lufta në lindje tash është kryesisht betejë me artileri, në të cilën Rusia është në epërsi. Kjo nënkupton se rrjedha e ngjarjeve mund të ndryshohet vetëm nëse Uashingtoni dhe aleatët e tjerë i mbajnë premtimet për të dërguar armë shtesë dhe më të mira, përfshirë sistemet raketore.

Në jug, kryetari i Mariupolit, qytet që është shkatërruar nga rrethimi i gjatë i forcave ruse, tha se sistemet sanitare janë shkatërruar dhe kufomat po kalben rrugëve.

“Ka përhapje të dizenterisë dhe kolerës. Lufta, që mori mbi 20.000 banorë... fatkeqësisht, me këto përhapje infeksionesh, do të marrë edhe mijëra mariupolas”, tha kryetari i qytetit, Vadym Boichenko, duke shtuar se disa puse për ujë të pijes janë kontaminuar nga kufomat.

Ai u bëri thirrje Kombeve të Bashkuara dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq që të krijojnë një korridor humanitar për ta mundësuar largimin e njerëzve të mbetur nga qyteti, që tashmë është nën kontrollin e ushtrisë ruse.

Si pasojë e ndikimit më të gjerë të luftës, agjencia e ushqimit e Kombeve të Bashkuara ka thënë se eksportet e zvogëluara të grurit dhe të llojeve të tjera të ushqimit nga Ukraina dhe Rusia mund të shkaktojnë uri kronike të deri 19 milionë njerëzve shtesë në nivel global gjatë vitit të ardhshëm./Nacionale

Tjera nga autori:
1