<b></b> Ukraina ka frikë nga përsëritja e tmerreve të Mariupolit edhe në vende të tjera

Ukraina ka frikë nga përsëritja e tmerreve të Mariupolit edhe në vende të tjera

28.05.2022 12:32

Separatistët e përkrahur nga Moska e goditën rajonin industrial të Donbasit të premten dhe pretenduan se kanë marrë nën kontroll një qytezë. Në anën tjetër, zyrtarët ukrainas po kërkojnë armë të sofistikuara nga Perëndimi, për të cilat thonë se janë të nevojshme për t’i dhënë fund luftës.

Përparimi i forcave ruse shkaktoi frikë se qytetet në rajon mund t’i nënshtrohen tmerreve të njëjta që u janë shkaktuar banorëve të Mariupolit gjatë javëve para rënies në duart e ushtrisë ruse.

Luftimet të premten u përqendruan në dy qytete kyçe: Sievierodonetsk dhe Lysychansk. Këto janë dy zonat e fundit nën kontrollin ukrainas në Luhansk, njëra nga dy provincat që e përbëjnë Donbasin dhe ku separatistët e përkrahur nga Rusia tashmë e kanë nën kontroll një pjesë të territorit që nga viti 2014.

Kryetari i qytetit Sievierodonetsk, Oleksandr Striuk, i tha agjencisë “Associated Press” se ky vendbanim është duke u shkatërruar sistematikisht. “90 për qind e ndërtesave janë dëmtuar”, tha ai.

Ai i krahasoi kushtet në qytet me ato të betejës për Mariupolin, që ndodhet në Donetsk. Tashmë i shkatërruar pothuajse tërësisht, Mariupoli u sulmua vazhdimisht gjatë rrethimit gati tremujor, që përfundoi javën e kaluar, kur Rusia pretendoi se e ka marrë plotësisht nën kontroll. Dyshohet se mbi 20.000 banorë kanë vdekur.

Para luftës, në Sievierodonetsk jetonin rreth 100.000 njerëz. Sipas kryetarit, aty kanë mbetur ende rreth 12.000 deri në 13.000 banorë. Raportohet se të paktën 1.500 kanë vdekur për shkak të luftës.

Televizioni “CNN” ka raportuar se administrata e presidentit Biden është duke u përgatitur për të dërguar sisteme raketore me rreze të gjatë në Ukrainë, ndoshta në fillim të javës së ardhshme.

Tjera nga autori:
1